Diplomohen oficerët e rinj në FA, Xhaçka: Akademia hap dyert për studimet bachelor

03/08/2020 10:03

Tridhjetë vajza dhe djem përfunduan kursin 1-vjeçar të oficerit të ri në Forcat e Armatosura.

Në ceremoninë e diplomimit të tyre mori pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila njoftoi rihapjen e Akademisë së Forcave të Armatosura për maturantët shqiptarë për ciklin akademik 2020-2023.

Ministrja Xhaçka përmendi investimet e viteve të fundit në modernizimin e FA, por i kushtoi më shumë rëndësi investimit në arsimimin dhe trajnimin e burimeve njerëzore.

“Sot, padyshim ka ende shumë nevoja e shumë punë. Por FA janë në një situatë komplet tjetër. Qoftë përsa i përket pajisjeve. Qoftë përsa i përket armatimeve. Qoftë përsa i përket trajnimit, organizimit e trajtimit. Sot, kemi hedhur hapa konkretë drejt ndërtimit të një ushtrie profesioniste, të standardeve të NATO. Dhe se çfarë progresi është bërë, falë punës së të gjithë ushtarakëve e profesionistëve të përkushtuar, mbështetjes së aleatëve e padyshim edhe të qeverisë, kjo duket fare mirë tek performanca e njësive tona që shërbejnë në misionet e NATO.

Por edhe pse si ministre jam e lumtur sa herë FA arrijmë t’ju vëmë në dispozicion armatime e sisteme armatimesh të reja, duke filluar nga mjetet e deri tek helikopterët, nga radarët e deri tek investimi i jashtëzakonshëm që do të bëhet në bazën e Kuçovës, asgjë nuk më ka gëzuar më shumë, asgjë nuk më ka bërë të ndihem që puna jonë po bën një ndryshim real, sesa investimi tek dija, tek arsimimi i ushtarakëve.”

Në prag të përzgjedhjes nga maturantët të universiteteve ku ata duan të studiojnë, ministrja Xhaçka u bëri thirrje atyre të marrin në konsideratë studimet bachelor në Akademinë e Forcave të Armatosura. “Sot, ushtria fillon e kthehet në një profesion të mirëfilltë, që ofron mundësi avancimi e karriere për çdo djalë e vajzë që ka dëshirën për t’i shërbyer vendit, aftësinë për të përballuar sfidën akademike, por edhe atë fizike e të terrenit si dhe disiplinën që është pjesë e karakterit të çdo ushtaraku. Prandaj ju bëj thirrje të gjithë maturantëve që besojnë se i plotësojnë këto kritere, që të aplikojnë për ciklin akademik 2020 – 2023. Dhe i garantoj që do të gjejnë këtu rrugë e mundësi jo thjesht shumë më të mëdha seç i kanë menduar, por edhe shumë më konkrete sesa ato që ofrojnë shumë e shumë degë të tjera të institucioneve të arsimit të lartë.”
Akademia e Forcave të Armatosura e shndërruar sivjet në një institucion të mirëfilltë të arsimit të lartë, ofron 60 kuota për maturantët për programin bachelor në Shkenca Ushtarake.

Akademia ofron kushte jashtëzakonisht të favorshme për çdo maturant. Që nga akomodimi dhe ushqimi falas për të gjithë periudhën e studimit, tarifë studimi 0 lekë në vit, pagesë mujore ndihmëse për të gjithë periudhën e studimit dhe punësim të sigurt pas përfundimit të studimeve.

Top Channel