Fillimi i gushtit duhej të shënonte një pikë kthese psikologjike dhe britanikët do të mund të fillonin të besonin se jetët e tyre do të ktheheshin në normalitet.
Por, ndërsa familjet përgatiteshin për pushime, qeveria ka sqaruar se është prioritet i saj që shkollat dhe universitetet të rihapen në shtator dhe sa më shumë njerëz të mund të kthehen në vendet e tyre të punës në vjeshtë. Por, siç tha Boris Johnson, ai shpreson se mund të ketë tani një kthim domethënës në normalitet për krishtlindje. Plani ishte të hidhej një hap pas tjetrit, me kujdes dhe të krijohej ideja se ishte një proces i rregullt.
Pabet dhe restorantet nisën ti shërbenin klientëve muajin e shkuar dhe rregullat e distancimit social u zbutën. Kjo u kombinua me disa masa të tjera si bërja e detyrueshme e maskave mbrojtëse në dyqane. Sipas ekspertëve, kjo ishte çështje balance, duhej bindur publiku se duheshin bërë disa kompromise në mënyrë që më shumë liri të ktheheshin. Por, gjithçka duket se u ngri tani pasi rastet e koronavirusit nisën të rriteshin sërish. Javën e kaluar, u vendos sërish karantina për britanikët që ktheheshin nga Spanja.
Paralajmërime janë lëshuar se masë e njëjtë mund të merret edhe për njerëzit që vijnë nga vende të tjera evropiane. Në Mancester, njerëzit nga familje të ndryshme nuk mund të takohen më në ambjente të mbyllura. Të premten ndërkohë, vetë Johnson njoftoi se një seri zbutjesh të masave të planifikuara do të shtyheshin në vijim. E ndërkohë, ekspertët e shëndetësisë, thonë se vendi është afër kufirit të asaj që mund të bënte për rihapjen e shoqërisë, duke parë shkallën e infektimeve. Britania e madhe këto ditë po regjistron mbi 4 mijë raste të reja në ditë. Disa politikanë, mendojnë se Boris Johnson po rikthen kufizimet shumë shpejt. Por ekspertët besojnë se ai i hoqi ato shumë shpejt.
Top Channel