Basha mbledh nesër Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, pritet miratimi i Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve për deputetë

02/08/2020 10:55

Nesër paradite demokratët do të mbledhin forumet më të larta vendimarrëse, Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar të PD, të cilët do të vendosin për ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve. Komisioni do të ketë 5 persona në përbërjen e tij dhe do të asistohet nga Sekretariati ndihmës i Komisionit i përbërë nga dy persona.

Komisioni i Vlerësimit, do të bëjë seleksionimin e kandidatëve të propozuar për deputetë. Deri tani janë zbuluar emrat e dy prej themeluesve të PD, Genc Rulit dhe Besnik Mustafajt, të cilët do të jenë pjesë e këtij procesi unik, që ndodh për herë të parë në Shqipëri.

PD thotë se përzgjedhja e kandidatëve për deputet dhe kryebashkiak do të behet sipas modelit të konservatorëve britanikë, të cilët kanë asistuar PD, së bashku me republikanët amerikanë dhe CDU e Angela Merkel. Ky model u votua në Kuvendin Kombëtar të demokratëve bashkë me ndryshimet statutore. 

Propozimet e tjera ende nuk janë bërë publike, por Komisioni është konceptuar që të ketë në përbërje jo vetëm ish-drejtues të lartë të PD, por edhe personalitete të shoqërisë civile dhe medias, përfaqësues të botës akademike, etj.

Ky Komision bën vlerësimin e çdo kandidati, nëse përmbush apo jo kriteret e parashikuara me detaje në udhëzimin për funksionimin e procesit. Korpusi i njerëzve me influencë, me mbështetje, me aftësi në fusha të ndryshme, që do të përzgjidhen nga Komisioni, do t’i shkojnë më pas për votim anëtarësisë së Partisë Demokratike.

Nga procesi 6 javor i propozimit të emrave, janë identifikuar një numër i lartë kandidatësh në të 12 qarqet. Top Channel pak javë më parë raportoi se baza kishte propozuar rikthim të emrave me kontribut në PD dhe zëra kritik, si Jozefina Topalli. Ndërkohë ka edhe propozime jashtë strukturave të partisë, kryesisht nga bota akademike dhe shoqëria civile.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se në:

10.30 mblidhet Kryesia.

11.30 mblidhet Këshilli Kombëtar.

Të dyja mbledhjet do zhvillohen on line.

Top Channel