SHBA nis tërheqjen e trupave të Komandës së Afrikës nga Gjermania

31/07/2020 21:23

Komanda Amerikane për Afrikën konfirmoi të premten se është në fazat e hershme të zhvendosjes së selisë së saj prej qytetit të Shtutgartit, ku ndodhet e dislokuar që prej ngritjes për herë të parë në vitin 2008.

Komandës amerikane të Afrikës i është thënë që të planifikojë të dislokohet“, tha komandanti i saj, gjenerali Stephen Townsend, në një deklaratë. “Ndërsa ka të ngjarë të duhen disa muaj për të përgatitur disa variante, për të vlerësuar vendndodhjen si dhe që të merret një vendim, komanda e ka filluar procesin“, shtoi ai.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë janë shprehur prej muajsh mbi nevojën për të zvogëluar numrin e rreth 6 mijë trupave të vendosur në Afrikë.

Ky plan kërkon zhvendosjen gjithashtu të selive të zyrave qendrore të Komandës Evropiane amerikane së bashku me Komandën e Operacioneve Speciale të SHBA-së Evropë, nga qyteti gjerman i Shtutgartit, në Belgjikë.

Aktualisht, AFRICOM ka rreth 1.200 ushtarakë dhe civilë të caktuar në selinë e saj në Stutgart. Por zyrtarët thonë se masa nuk duhet të ndikojë në operacionet e SHBA-së në Afrikë.

Ndërsa zyrtarët ushtarakë amerikanë argumentojnë se ndryshimet janë të nevojshme nga pikëpamja strategjike dhe do t’u japin atyre më shumë fleksibilitet, zyrtarët gjermanë kanë shprehur zhgënjimin për vendimin e SHBA për të tërhequr rreth 12,000 trupa nga vendi i tyre.

Ligjvënësit amerikanë, përfshirë disa republikanë që shpesh janë në krah të zotit Trump, gjithashtu kanë ngritur shqetësime rreth këtyre ndryshimet, megjithëse senatori Jim Inhofe, kryetari i komisionit të senatit për Forcat e Armatosura i ka quajtur ato veprime “të shëndetshme”.

Në fillim të kësaj jave Presidenti Trump i doli në mbrojtje vendimit për të tërhequr trupat nga Gjermania, duke sugjeruar se SHBA-ja mund të zhvendosë trupa të tjerë të vendosuar tek vendet aleate të NATO-s nëse ato nuk i rrisin shpenzimet mbi mbrojtjen. Por disa analistë kanë ngritur shqetësimin se lëvizja e trupave dhe pikave kritike ushtarake nga Gjermania do të dëmtojnë operacionet e përgjithshme./VOA/

Top Channel