Pandemia gjunjëzon Europën/ Franca, Italia dhe Spanja kanë rënë në recesion

31/07/2020 19:57

Franca, Italia dhe Spanja kanë rënë në recesion pasi koronavirusi gjunjëzoi ekonomitë e tyre dhe pati kontraktime të mëdha në produktin e brendshëm bruto.

Shifrat tregojnë se ekonomitë e të tre këtyre vendeve u tkurrën në tre mujorin e dytë të vitit financiar mes prillit dhe qershorit ndërsa masat e izolimit dhanë frytet e tyre. Një recesion zakonisht përcaktohet si kontraktim i GDP për dy tre mujorë radhazi. Kështu, në tremujorin e dytë, GDP e Spanjës ra me 18.5 për qind, ajo e Italisë me 12.4 përqind dhe e Francës me 13.8 përqind.

Ekonomia gjermane po ashtu po përjeton një rënie dramatike për shkak të pandemisë së koronavirusit. GDP atje ra me 10.1 për qind nga prilli në qershor cka ka bërë që rënia e prodhimit ekonomik të jetë akoma më e theksuar se ajo në krizën financiare të 2008-2009-ës. Kjo, sipas të dhënave, ishte rënia më e fortë që prej nises së përllogaritjeve tremujore të Produktit Kombëtar Bruto, në vitin 1970. Për ekspertët, ky është recesioni i shekullit.

SHBA po ashtu ka postuar shifra të frikshme të enjten. Ato tregonin një tkurrje të ekonomisë amerikane prej 32.9 për qind nga prilli në qershor, rënia më e rëndë kjo që nga lufta e dytë botërore.

Top Channel