Në praninë e një numri të madh të besimtarëve mëngjesin e sotëm në të gjitha qendrat kryesore të vendeve të rajonit, si dhe më gjerë, me faljen e namazit të Kurban Bajramit ka filluar një nga festat më të mëdha të myslimanëve, Kurban Bajrami.

Besimtarë të shumtë janë mbledhur në xhamitë në kryeqytetet për të falur namazin e Kurban Bajramit, duke respektuar masat ndaj COVID-19. Përjashtuar Kosovën e cila anuloi faljen e namazit nëpër xhami për shkak të situatës epidemiologjike.

RREGULAT QË IU JANË KËRKUAR BESIMTARËVE QË TË RESPEKTOHEN

• Marrja e abdesit të kryhet në shtëpi.
• Të mbahet maska nga çdo besimtar.
• Çdo besimtar duhet të ketë me vete sexhade personale.
• Mbajtja e distancës fizike gjatë faljes.
• Ndalohet përdorimi i abdesthaneve dhe tualeteve.
• Personat me simptoma të sëmundjes nuk lejohen të hyjnë në xhami.
• Hyrja dhe dalja në xhami të mos jetë në grup.
• Të shfrytëzohen materialet dezinfektuese në hyrje të cdo xhamie.

Tiranë

Ceremonia qendrore e namazit të Kurban Bajramit në Shqipëri është mbajtur në Xhaminë e Kokonozit në Tiranë me pjesëmarrjen e besimtarëve dhe klerikëve. Falja u bë duke respektuar masat kundër Covid-19, të përcaktuara edhe nga Komiteti Mysliman i Shqipërisë.

Elbasan

Në Elbasan qytetarët e kanë bërë faljen e namazit në sheshin në qendër të qytetit, ku mesa duket nuk janë respektuar sa duhet rregullat e kërkuara.

Kukës

Dy xhamitë e Kukësit ishin tejet të mbushura me besimtarë myslimanë. Edhe pse numri i të prekurve me Covid ka qenë në rritje në Kukës, besimtarët iu drejtuan xhamive për të falur namazin. Qytetarët nuk kanë pasur maska dhe doreza, gjithashtu edhe distancimi social nuk u mbajt gjatë faljes së namazit.

Bulqizë

Me qindra besimtarë mysliman të rrethit të Bulqizës kanë festuar Kurban Bajramin, që nisi me faljen e Namazit. Që prej orës 6 e 30 min besimtarët mysliman u mblodhën në sheshin para xhamisë për faljen e Namazit.

Korçë

Besimtarë të shumtë myslimanë kanë falur namazin në xhaminë Iljaz Bej Mirahori. Besimtarët nuk kanë respektuar masat anti-covid ku të gjithë kanë qenë ngjitur me njëri-tjetrin dhe të pa pajisur me maska sikur virusi të mos ekzistonte në atë moment duke u kthyer në burim infeksioni.

Lezhë

Edhe në qytetin e Lezhës besimtarët janë bërë bashkë për të falur Kurban Bajramin. As në këtë qytetet nuk janë respektuar rregullat të përcaktuara edhe nga Komiteti Mysliman i Shqipërisë. Besimtarët nuk kanë respektuar masat e distancës dhe shumica prej tyre shihen pa maskë.


Durrës

Në Durrës, besimtarë të shumtë kanë falur namazin duke u përpjekur të ruajnë masat por ashtu si edhe në shumë qytete të tjera shihen pa maska.

Top Channel