Dibër/ Tre vatra zjarri, aktive prej ditësh. Digjen banesa dhe qindra hektarë tokë

31/07/2020 13:35

Tre vatra zjarri janë aktive prej tre ditësh në territorin e Dibrës.

Një vatër është në sektorin pyjor të Pratit në njësinë administrative Selishtë. Ky zjarr ka rënë prej tre ditësh dhe ka djegur një sipërfaqe pyjore rreth 150 hektarë. Në terren kanë qenë ditën e parë 3 punonjës zjarrfikës dhe një inspektor i policisë së zonës.

Një tjetër vatër ka djegur rreth 40 hektar pyll në zonën e Runjës në Njësinë Administrative të Muhurrit dhe sot ka kaluar në zonë të lartë kullosore (bjeshkë) duke përshkuar një sipërfaqe të konsiderueshme.

Një vatër tjetër ka nisur në fshatin Topuze në Njësinë Administrative Zall Dardhë dhe ka marrë mbarë sipërfaqe pyjore , toka dhe pemtore në fshatrat e Njësisë Administrative Sllovë. Zjarri ka djegur mbi 150 hektarë pyje dhe kullota , dhe vazhdon të jetë aktiv duke u ngjitur drejt zonës së mbrojtur të masivit të Korabit.

Zjarri ka djegur disa banesa të vjetra pa njerëz pasi banorët janë shpërngulur në Tiranë. Dy banesa që janë ende të banueshme fatmirësisht kanë shpëtuar nga flakët ,pasi të zotët e shtëpisë nuk ndodheshin aty për shkak të festës së Kurban Bajramit.

Në të gjitha vatrat vetëm një grup prej disa zjarrfikës janë më terren dhe dy inspektorë policie. Duket qartë se reforma në pyje vetëm se ka nxjerrë zbuluar bashkinë e cila ka një strukturë zyrtarësh për procedura , por nuk ka as mjete dhe as strukturë për ndërhyrje në raste zjarresh apo dëmtimesh. Kalimi i inspektoriatit Pyjor pranë policisë nuk i jep zgjidhje problemit pasi mungojnë kapacitetet e inxhinierëve dhe sinjalizuesve të pyjeve, Bashkia nuk ka asnjë strukturë të mirëfilltë për menaxhimin e pyjeve. Kanë qene banorë të zonës te cilët kane dale vullnetarisht për të fikur zjarret.

Top Channel