Rama thirrje opozitës jashtëparlamentare: Ulemi menjëherë për të diskutuar, konsensusi 100% është i mirëseardhur

30/07/2020 14:15

Kryeministri Edi Rama me anë të një reagimi në Twitter i ka bërë thirrje Partisë Demokratike dhe aleatëve të tyre që të ulen me Partinë Socialiste dhe me opozitën në Parlament për të punuar për reflektimin në Ligjin Zgjedhor të risive kushtetuese.

Me votimin në Kuvend sipas Ramës tashmë këto ndryshime s’janë më projekt, po pjesë e Ligjit Themeltar të Republikës sonë dhe janë të detyrueshme për të gjithë.

Ndër të tjera Rama ka thënë se puna duhet të fillojë nesër dhe se kush nuk shkon në tryezë mbetet jashtë vendimmarrjes.

Reagimi i Ramës:

LBPD&CO duhet të ulen menjëherë me PS dhe opozitën parlamentare për të punuar për reflektimin në Ligjin Zgjedhor të risive kushtetuese! Ato s’janë më projekt, po pjesë e Ligjit Themeltar të Republikës sonë dhe janë të detyrueshme për të gjithë ne, pa dallim! Prandaj në punë

Ne nuk ndalemi sepse nuk jemi zgjedhur për t’i shkuar mbrapa atyre që ikin në drejtim të paditur, po për të udhëhequr Shqipërinë e shqiptarët në rrugën e të ardhmes. Në tryezë na ul përgjegjësia ndaj vendit dhe popullit, arsyeja e kultura jonë demokratike, jo dënglat kërcënuese!

S’ka kohë për të humbur. Puna duhet të fillojë nesër. Kush nuk vjen në tryezë mbetet jashtë vendimmarrjes. Konsensusi 100% është i mirëseardhur, po asnjë pakicë s’e merr dot peng shumicën kushtetuese në këtë proces – vota e sotme duhet të mjaftojë për të mos e provuar prapë!

Top Channel