I nxehti rëndon shëndetin mendor/ Kujdes të veçantë duhet të kenë personat me stres, ankth e depresion

30/07/2020 13:17

Temperaturat e larta sjellin çrregullim të neutransmetuesve, duke sjellë rëndim të gjendjes fizike dhe psikologjike, për pasojë kjo është periudha kur problemet e shëndetit mendor rëndohen.

Sipas ekspertëve, gjatë verës shtohet numri i personave që kërkojnë ndihmën e mjekut psikiatër. Psikologia Adela Lamçe thotë se në spitalin psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan kapacitetet e shtrimeve janë të plota, ndërkohë që punohet me monitorimin në distancë.

Kujdes të veçantë, sidomos në këtë periudhë të vitit, duhet të bëjnë personat që shfaqin shenja të stresit, ankthit e depresionit. Por sikur të mos mjaftonin temperaturat e larta, kjo periudhë ka qenë e pafavorshme edhe për shkak të pandemisë. Izolimi, frika nga virusi, por në shumë raste edhe prekja e ekonomisë familjarë për shkak të Covid, ka shtuar rastet e stresit dhe depresionit.

Shqipëria nuk ka studime të mirëfillta për numrin e pacientëve të prekur nga çrregullimet mendore, por referuar të dhënave në sistemin shëndetësor parësor në një vit kryhen mesatarisht 15.000 vizita, persona që kërkojnë ndihmën e mjekëve psikiatër për shkak të çrregullimeve dhe problemeve të shëndetit mendor.

Top Channel