Fshati Spathar i Librazhdit është një fshat i vogël që nuk e kalon numrin e 120 banorëve. Shtëpitë e fshatit janë të shpërndara mes pyjesh në një terren të thyer malor.

Pasi një orë udhëtimi me makinë nga Librazhdi gazetarët e Fiksit mbërritën në dy familje të dy vëllezërve Kaca. Në familjen e parë jeton zonja e shtëpisë Trëndafile Kaca së bashku me të bijën e saj 20 vjeçe. Para dy vitesh, ajo ka humbur bashkëshortin nga një sëmundje keqe. Megjithëse e operuar katër herë, ajo mundohet me të gjitha mënyrat për mbijetuar së bashku me te bijën duke mbjellë pak misër, duke mbledhur ndonjë bimë mjekësore. Terreni është mjaft i thyer dhe asnjë mjet bujqësor nuk mund të hyjë në tokën e saj. Ndihmë për të janë 4300 lekë në muaj ndihmë ekonomike.

“Këtu kemi mbetur nga pamundësia sepse burrin e kam pasur sëmurë prej disa vitesh”. Televizori dhe frigoriferi nuk punojnë. Dollap për ushqim është improvizuar frigoriferi ku ajo ka grumbulluar pak gjize, pak gjalpë, ca kokrra vezë, turshi dhe djathë. Dhoma ku ajo jeton me te bijën e fut të gjithë shiun brenda dhe zonja është e detyruar të vendos tenxhere për të mbledhur shiun. “Fat” për të dyja gratë, këto kohë, që ka qenë pandemia që Njësia Administrative t’u jepte ndihma ushqimore . Me kokën ulur zonja Trëndafile, kërkon që të mund t’i rregullohet shtëpia dhe nuk di nëse i takon të marr KEMP.

Pas shtëpisë së zonjës Trëndafile, ndodhet shtëpia e kunatit të saj, vëllait të burrit, zotit Ramazan Kaca i cili jeton më dy djemtë dhe gruan e tij në një dhomë. Djali i madh i zoti Ramazan është i martuar dhe jeton me familjen e tij, por dhe të nënën e zoti Ramazan në dhomën tjetër. Edhe këtu gjendja ekonomike është mjaft e keqe. Zoti Ramazan është 64 vjeç nuk merr pension sepse nuk ka mbushur moshën, ndërsa e shoqja është 54 vjeçe, është e sëmur me probleme të shëndetit mendorë dhe merr KEMP.

Nusja e shtëpisë, zonja Dashurie Kaca tregon se burri i saj punon në ndërtim shumicën e ditëve. Dy kunetërit e saj, enden sa andej këndej nëpër fshatra sepse nuk janë mirë nga gjendja shëndetësore, pasi sipas saj janë edhe ata me probleme të shëndetit mendorë si nëna e tyre. Njëri është 29 dhe tjetri 31 vjeç. Ata nuk kanë bërë asnjë klasë shkollë dhe nuk kanë as profesion. Kjo familje jeton me 4300 lekë ndihmë ekonomike dhe KEMP-in e zonjës së sëmurë. Gatuajnë jashtë mbi një sobë, dhe nuk kanë as banjë Edhe këtu pamjet e skamjes janë po të njëjta.

Agim Shakaj përgjegjësi ndihmës ekonomike Librazhd, u pohoi gazetarëve të Fiksit se këto familje janë ndër më të varfrat e njësisë së tyre e cila trajtohet me ndihmë ekonomike prej 5 vitesh dhe më shumë. “Ne kemi bërë që kjo familje të trajtohet shpesh me ndihma ushqimore. Për kushtet e banimit i kemi thënë që të plotësoj dokumentacionin sepse ne sot kemi programe shumë të mira për strehimin që i jep Ministria e Financave” u shpreh Shakaj. Po ashtu dhe Administratori Njësisë Administrative Qendër, Gazmir Baiti na konfirmoj se këto familje janë njoftuar të sjellin një certifikatat të pronësisë, ” familjet ende nuk e kanë sjell ndonjë certifikatë dhe nuk kanë aplikuar për ndihmë në njësi për restaurimin e shtëpive”.

Edhe punonjësja sociale në Njësia Administrative Qendër Librazhd, znj Jetmira Kujtila u shpreh se këto familje janë me shumë probleme social ekonomike. “Për dy djemtë e rritur me probleme të shëndetit mendorë, shërbimi bio-psiko-social në Bashkinë e Librazhdit nuk ekziston që të mund t’i ndihmonim. Presim që ky shërbim të nisë sa më parë që të bëhet vlerësimi tyre me një grup specialistësh” përfundon punonjësja.

Top Channel