Detajet/ Si u vra me thikë 65-vjeçari, i plagosur rëndë mbeti edhe vëllai i tij

30/07/2020 09:22

Një 65-vjeçar u vra natën e kaluar në Xhafzotaj të Shijakut, ndërsa i vëllai 63-vjeçar mbeti i plagosur.

Paraprakisht dyshohet se dy vëllezërit u goditën me mjet prerës gjatë një konflikti çasti me një person të tretë që po tentonte të vidhte misra në arën e tyre.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 23:05 të së mërkurës. Vëllezërit Fiqiri dhe Fadil Çalliku, përkatësisht 65 dhe 63 vjeç,  kanë qenë në tokën e tyre kur  janë përfshirë në konflikt dhe janë dëmtuar me mjet prerës gjatë tij. Fiqiri Çalliku 65 vjeç, ka marrë më shumë plagë dhe si pasojë e tyre ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës, ndërsa vëllai i tij ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ka shoqëruar disa persona, si dhe ka sekuestruar prova materiale në vendngjarje që të zbardhë  ngjarjen dhe identifikojë dhe kapë autorin e saj.

Top Channel