Dardha turistike/ Projekt për përmirësimin e infrastrukturës rrugore

30/07/2020 13:13

Amortizimi i disa segmenteve në rrugën që të çon drejt Dardhës shpesh është kthyer në një pengesë për turistët sidomos në dimër.

E ndërtuar vite më parë rruga në disa pjesë e kishte thuajse të padukshëm asfaltin e pas çdo dimri me borë e ngrica degradimi është shtuar por fillimi i punimeve për rikonstruksionin e aksit rrugor Nacional, Boboshticë – Dardhë tani do ta bëjë lehtësisht të arritshëm fshatin e njohur për natyrën kulturën e kulinarinë. Projekti me një vlerë prej një milion dollarë parashikon ndërtimin nga e para të 900 mijë metër katrorë të kësaj rruge si dhe në bazë të tij do të rivishen me asfalt më shumë se 35 mijë metër katrorë.

Për kryetarin e bashkisë Korçë Sotiraq Filo, rikonstruksioni i kësaj rruge vjen pas kërkesave të shumta që ka pasur vetë bashkia por edhe nga banorët si dhe operatorët e fshatit të njohur turistik ndërsa shumë shpejt nga ana e ARRSH pritet edhe rikonstruksioni i aksit Korça-Boboshticë duke mbyllur kështu të gjithë gjatësinë e këtij aksi nacional.

Ndërhyrjet e fundit në pjesën fundore të aksit Boboshticë – Dardhë janë bërë në vitin 2007. Ndërkohë që gjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur vetëm mirëmbajtje çka e ka bërë aksin të vështirë për tu kaluar në të gjitha stinët, në veçanti tek vendi i quajtur “Muri i Musait”.

Top Channel