Pas disa ditësh përshkallëzim tensioni dhe me flotat e tyre ushtarake përballë njëra tjetrës në Egje dhe Mesdheun Lindor gati për një konflikt ushtarak ,duket se Greqia dhe Turqia kanë vendosur të bëjnë nga një hap pas.
Lajmin e ka konfirmuar në fillim zëdhënësi i presidentit turk Ibrahim Kalin që ka deklaruar se Rexhep Tayyp Erdogan ka kërkuar pezullimin për një muaj të operacioneve të kërkimit të hidrokarbureve pranë ishullit grek Kastelorizo , si një qasje konstruktive për negociatat dhe menjeherë janë parë anijet luftarake turke të kthehen në bazat ushtarake .
Zyrtari turk madje ka shtuar se shtypi gjerman ka ekzagjeruar faktin që Greqia dhe Turqia kishin arritur në prag të një konflikti të armatosur , pavarësisht kontributit të zonjës Merkel në zbutjen e situatës, ndërsa ka theksuar se Turqia është e gatshme të ulet në tryezen e bisedimeve pa kushte dhe kritere.
Sa i përket Athinës edhe ajo ka vendosur kthimin e anijeve të saj, ndërsa e konsideron vendimin e Ankarasë si një veprim pozitiv në parim, por që ka rezultuar edhe për shkak të qëndrimit të ashpër të Greqisë dhe ka parashtruar vijën e kuqe të saj për tu ulur në bisedime me Turqinë.
“Kushti i domosdoshëm për dialog është zbutja e tensioneve me vepra nga ana e Turqisë. Ne nuk mund të dialogojmë kur njëra palë ndërmerr veprime që janë në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtën për Detin”, tha ministri i jashtëm i Greqisë.
Dhendia ka qartësuar gjithashtu se mosmarrëveshjet e Greqisë me Turqinë kane të bëjnë me çështjen e rafteve kontinentale në Egje dhe Mesdheun Lindor si dhe te zonave detare.
Por vetëm disa orë pas lajmit pozitiv të zbutjes se tensionit mes dy fqinjeve , pala turke deklaroi një Navtex të ri duke shtuar se dëergon anijen tjetër Barbaros për kërkime të hidrokarbureve në zonën ekzkluzive detare të Qipros, ndërsa mediat greke e kanë cilësuar këtë veprim si një dush skocez në ujërat e “nxehta” të Mesdheut.
Aleksander Marku
Top Channel