Tren i shpejtë nga Shqipëria/ BE merr rekomandimin për rrjetin e trenave, përfshihet edhe Kosova

29/07/2020 18:48

Instituti i Vjenës për studime ekonomike ndërkombëtare i ka rekomanduar Bashkimit Europian ndërtimin e një rrjeti linjash hekurudhore të shpejtësisë së madhe dhe në të parashikohet edhe përfshirja e Shqipërisë dhe Kosovës.

Ky institute, një organizatë e pavarur jofitimprurëse ka bërë studime për tregjet dhe ekonominë e vendeve të BE dhe të kandidatëve për anëtarësim në union. Instituti kërkon që bashkimi europian të nisë të investojë në ndërtimin e një rrjeti hekurudhor të shpejtësisë së lartë nga 250 deri në 300 kilometra në orë që të lidhë metropolet si Berlini dhe Parisi edhe më vendet e Ballkanit, si Shqipëria apo Kosova. Linja që propozohet të prekë Shqipërinë do të nisë në Berlin, Çekia, Austria, Kroacia, Bosnja, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë, Bullgari, Serbi, Rumani, Hungari. Një degëzim i kësaj linje propozohet të shtrihet nga Sofja, në Maqedoni, pastaj nga Greqia deri në Qipro.

Hekurudha duhet të lidhë qytetet me të zhvilluara të Europës me vende e pazhvilluara të kontinentit të tilla si Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit. Ndërsa linjat e tjera të propozuara do të lidhin vendet e Baltikut me Spanjën. Nga kjo linjë do të ketë një tjetër që do të zgjatet në Itali dhe një në Britaninë e Madhe.

Në pjesën shqiptare, hekurudha e shpejtë do të futet në Shqipëri në Shkodër nga Mali i Zi dhe më pas do të vijojë në Lezhënë krah të Rrugës së Kombit për të hyrë në Kosovë. Në total, rrjeti i ri hekurudhor i shpejtësisë së lartë parashikohet të jetë 18,249 kilometër e gjatë.  Shtrirja e kësaj linje në Ballkanin Perëndimor pritet të jetë 1564 kilometra e gjatë me kosto 49 miliardë eurosh. Në Shqipëri, rrjeti propozohet të ketë gjatësi 304 kilometra, me kosto 7 miliardë euro.

Top Channel