“Përplasje” në Kuvend për tenderat/ Lleshaj: Ju sfidoj të trokisni në prokurori. Murrizi: Kur vijnë lekët t’i je në gjumë!

29/07/2020 11:41

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit ka pasur edhe një shkëmbim replikash mes kryetarit të grupit demokrat Myslym Murrizi me ministrin Sandër Lleshaj.

I ashpër ka qenë deputeti i opozitës, Myslim Murrizi, i cili denoncoi publikisht një tender që ishte kryer nga Ministria e Brendshme për veshjet, në kohë pandemie.
Murrizi tha se bëhet fjalë për një tender me vlerë 23 milionë euro, që sipas tij u shkurtuan njësitë e artikujve dhe jo shifra e tij. Ai i bëri thirrje SPAK që të hetojë në lidhje me këto abuzime sipas tij.

Myslym Murrizi: Amnistia nuk besoj se ka të bëjë me ca të bardhë e ca të zinj. Sado të që të jepni masa ndaj bizneseve, sado të hiqni muzikën, është propagandë boshe, Jam dakord për një fushatë sensibilizuese për rrezikun që kanoset ndaj qytetarëve, Gjobat se largojnë COVID. Jo të gjithë kanë miliona dhe që kanë përfituar nga ky covid, si tenderxhinjtë. 200 mijë familje fermerësh në Shqipëri sa lekë kanë marrë? Më thoni. I dhatë ndonjë lekë, edhe pse prodhimet e tyre u groposën kanaleve?! Kujt ia dhatë lekët. Babëzia në këtë kohë pandemie nuk u ndal. Kam një tender të ministrisë së Brendshme, 23 mln euro për uniformat. Vlerën nuk ia ulët, por sasinë e produkteve po. 89 mijë njësi artikuj më pak. Jo të gjithë në këtë sallë, edhe nga PS, janë njëlloj të përlyer në paratë publike. Pasi ka të ndershëm. Ftoj SPAK që të merret me hajdutët që i janë herrur sytë në këtë kohë kolere

Ministri Sandër Lleshaj në anën tjetër fton deputetin e opozitës të trokasi në prokurori, duke refuzuar të merret me këtë çështje.

Sandër Lleshaj: Z. Murrizi, po të ishit mjaftuar me pjesën e dytë të fjalës suaj, do të isha dakord edhe unë që me çështjet të cilat ju adresoni, duhet të merren ata që kanë profesion të merren, që janë prokurorët. Ju vendosët që fillimisht ta bëni prokurorin vetë, pastaj të kërkoni ndërhyrjen e Prokurorisë. Unë po ju them diçka, fare të thjesht, të gjitha ato gjëra që ju cituat këtu, nuk i komentoj për arsye se nuk i di, sepse unë nuk merrem me asnjë shifër, me asnjë tender, me asnjë firmë, me asnjë sozi, me asnjë gjë me të cilat ju merreni dhe është zgjedhja juaj që të merreni me këto gjëra. Por do t’ju ftoja fare thjesht, mos i bëni ftesë Prokurorisë, ftesë publike, retorike, politike, por në qoftë se nuk e dini, jua tregoj unë adresën e Prokurorisë! Shkoni trokisni atje, ҫojini ato gjëra që keni, sepse i bëni shërbim publikut nëse besoni që janë të vërteta, dhe kështu zgjidhet puna. Trokisni tek dera e Prokurorisë dhe lërini ata ta bëjnë prokurorin mos e bëni ju, se kam frikë se mos gaboni. Unë refuzoj të merrem me këtë dhe sfidoj këdo që i thotë vetes shqiptar, që të mundohet të gjejë qoftë edhe një nanogram lidhje midis atyre pisllëqeve, që përmendni me figurën time si Ministër i Brendshëm. Nuk mund të ketë kurrë në botë një lidhje dhe për këtë ju sfidoj të trokisni në Prokurori. Në qoftë se doni të bëni ose të konsumoni politikë tradicionale, bajate, jepini, jeni i mirëpritur t’i jepni dhe gëzojeni atë. Faleminderit!

Në një kundërpërgjigje të ashpër, Murrizi i drejtohet Ministrit Lleshaj duke i thënë:

“Zoti Lleshi, nuk thashë që keni firmosur ju tendera, e si që nuk ju pyesin, unë e di kush është shefi juaj i tenderave te ministrinë tate, por unë guxoj dhe flas, ty nuk e di kush ta ka kafshuar gjuhën. Jam i qartë që nuk besoj të ketë trokitur ndonjë kokërr leku në xhepin tat, flasin shumë që ti je në gjumë kur vijnë paratë në ministri. Ju jeni kryetar i komisionit të tenderave në ministri? Jo, pra jo,mos m’i ngir supet se po të kem gjë për ty nuk më dridhen leqet e këmbëve ta them në sy”.

Top Channel