Pas përfundimit të fushatës zgjedhore që është zhvilluar kryesisht në rrjete sociale, kandidatët që garojnë për organe drejtuese në universitete janë në heshtje zgjedhore.

Sipas rregullores së Ministrisë së Arsimit përcaktohet se dita para zgjedhjeve, dhe data e zgjedhjeve deri në mbyllje të votimit formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore, ku nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore që do të thotë se në muret e qendrave të votimit, të fakulteteve nuk duhet të ketë më postera të kandidatëve që ndikojnë më tej në votë, por ju sic e shikoni rregullorja është shkelur.

Në 12 universitetet publike mëngjesin e 30 korrikut hapen qendrat e votimit për studentët dhe stafin akademik ku koha e votimit do të jetë nga ora 8:00 deri në 16:00. Ndërsa janë marrë dhe masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit, ku ndryshe nga zgjedhjet e shkuara veç mjetit të identifikimit, votuesve do t’iu matet temperatura para hyrjes në dhomën e fshehtë të votimit ku do të pajisen më tej me maska dhe doreza.

Në institucionet e arsimit të lartë më së shumti akademikët rikandidojnë për të fituar një mandat të dytë, ku bën përjashtim rektori i Universitetit Bujqësor, Bahri Musabelliu dhe rektori I Universitetit Fan Noli në Korçë , Ali Jashari. Ndërsa e paprecedentë është situata në Universitetin e Tiranës, ku rektori aktual Mynyr Koni thotë se nuk do të ketë zgjedhje ditën e nesërme pasi nuk e njeh komisionin zgjedhor, ndërsa ky i fundit ka vijuar normalisht shpërndarjen e materialeve zgjedhore mirëpo që rrezikohet që rektoi Koni pas shpalljes së fituesit të mos e pranojë rezultatin . Për kaosin në Universitetin e Tiranës , edhe studentët me qendresën qytetare ju drejtuan presidencës me këtë kerkesë.

“Të mos dekretojë fituesin pasi ka paligjshmëri”.

/Kristi Gongo/

Top Channel