Kosovë, faza  e dytë e pandemisë/ Ndalohen tubimet, ceremonitë fetare dhe ato familjare

29/07/2020 19:50

Kosova ka hyrë në fazën e dytë të pandemisë, fazë e cila parashihej të fillonte në vjeshtë.

Për këtë Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar nga ekzekutivi aktivizimin e plotë të Planit të Reagimit Kombëtar, që parasheh angazhimin e të gjitha institucioneve të nivelit qendror dhe lokal si dhe të sektorit privat për menaxhimin e pandemisë.

E për këtë vendimi pritet të merret në mbledhjen e së enjtes .

Tutje, Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka treguar se janë në pritje të një varg ndihmash shëndetësore me materiale dhe burime njerëzore nga vendet e BE-së.

Për kontributin e dhënë, Qeveria ka aprovuar vendimin për ndarjen e shtesave mujore nga 300 euro edhe për muajin korrik dhe gusht për mjekët dhe infermierët që punojnë me pacientët me Covid 19.

E megjithëse Kosova po vazhdon të ketë rritje të numrit të pacientëve të shtrirë në spitale, Qeveria në anën tjetër ka zgjatur orarin e qëndrimit hapur të bizneseve nga 21 deri 22 e 30, e jashtë këtij orari shërbimi i klientëve të bëhet vetëm në ambientet e hapura.

Poashtu është lejuar hapja e kopshteve për fëmijë sipas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga Komunat.

Në ndërkohë Qeveria ka marrë vendim serish për ndalimin e veprimtarive fetare, ceremonive familjare, tubimet publike, organizimeve sportive, kulturore në ambiente të mbyllura dhe të hapura

E krejt në fund, testi për Covid 19 është vendosur t’u kërkohet shteteve të rajonit vetëm sipas reciprocitetit.

Top Channel