Duke parë tendencën në rritje të rasteve me Covid -19 qeveria greke ka shpallur masa të reja në përballimin e pandemisë. Sipas zv/ministrit të Mbrojtjes Civile prej së mërkurës do të jetë e detyrueshme mbajtja e maskës përveç supermarketeve edhe në të gjitha dyqanet e vogla si psh, furrat e bukës, në dyqanet e mishit, peshkut, ëmbëltoret, por edhe në të gjithë zyrat e administratës shtetërore dhe asaj publike si dhe në institucionet bankare. Gjithashtu e detyrueshme do të jetë mbajtja e maskës për gjithë personelin e restoranteve.

‘Kërkojmë nga të gjithë bashkëqytetarët tanë që të respektojnë me përpikëri rregullat e reja për përdorimin e maskave që synojnë të na mbrojnë të gjithëve. Shtrëngimi i masës së përdorimit të detyrueshëm të maskës nuk bëhet për arsye ndëshkuese, por bëhet për të mirë kolektive’- tha zv-ministri i Mbrojtjes Civile Nikos Hardhalias.

Z. Hardhalias ka rikujtuar se përdorimi i maskës është i detyrueshëm në transportin publik, në taksi ,tek automjetet e transportit tregetar, në qendrat tregetare si për të punësuarit ashtu dhe për klientët dhe se gjoba shkon në 150 euro.

Ndërsa deri tani duket se shumica e rasteve të të prekurve nga të huajt që vijnë në Greqi janë prej vendeve të Ballkanit, tashmë kujdes nga autoritete shendetsore do të ketë edhe për ata që vijnë ose kalojnë nëpërmjet Spanjës.

Nga 171.000 teste në pikat e hyrjes në Greqi te gati 1 milionë të huajve gjatë këtij muaji, u gjetën 300 persona të prekur me Covid-19, ndërsa treguesi që paraqet shkallën e vdekshmërisë, tashmë ndodhet në nivelin 0.4 që cilësohet ende i kënaqshëm.

Top Channel