Më 26 qershor u vendos që ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri të rigjykohet sërish.

Gjykata e Shkallës së Dytë nuk mundi të japë as vendim fajësie dhe as pafajësie për Saimir Tahirin, por edhe për ish-kryepolicin Jaeld Çela. Por e riktheu në “shkallën e parë” e cila në muajin shtator 2019 e shpalli fajtor ish-ministrin e Brendshëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës, duke e dënuar me 3.5 vite shërbim prove dhe ndalim të së drejtës për të ushtruar funksione publike.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar edhe vendimin që arsyeton pse çështja u kthye për gjykim në shkallën e parë.

Ndër të tjera aty thuhet se “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm nuk arrihet të provohet bashkëpunimi mes të pandehurve”.

“Megjithëse nuk u provua përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që marrëdhëniet mes të pandehurit Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur Moisi habilaj të kenë qenë në nivelin e bashkëpunimit për kryerjen e trafikimit të narkotikëve gjykata vërën situata të pashpjegueshme plotësisht nisur nga funksioni publik i rëndësishëm i ministrit të Brendshëm që ka mbajtur i pandehuri Saimir Tahiri, në periudhën respektive, të cilat nuk gjejnë argumentim e dalin tej kuadrit të marrëdhënieve të farefisnisë së largët që ka pohuar vetë i pandehuri”, thuhet në dokument.

Ndërkohë në arsyetimin e mëtejshëm thuhet se sipas gjykatës së shkallës së parë të Apelit, Prokuroria është kontradiktore në ato që thotë:
Mbi bazën e fakteve penale të atribuara në aktin e komunikimit të akuzës, gjykata e shkallës së parë pasi ka shqyrtuar e vlerësuar aktet e fashikullit të gjykimit në tërësi, ka argumentuar në lidhje me akuzën se: Akuza e ngritur nga prokuroria i referohet rasteve kur është kapur dhe sekuestruar objekti material i veprës penale, të cilat janë ato sasi lëndë narkotike cannabis sativa që është arritur të sekuestrohet në Itali.

Megjithatë prokurori në akuzën e ngritur nuk ka identifikuar veprime konkrete të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela që të kenë pasur si pasojë të drejtpërdrejtë ekzekutimin e ndonjë prej episodeve konkrete ku është apur lëndë narkotike në Itali.

Sipas prokurorisë të pandehurit kanë vepruar në rolin e ndihmësit pasi duke qënë në funskione shtetërore kanë lehtësuar , larguar pengesat apo kanë dhënë informacion për kultivuesit dhe trafikuesit e lëndës narkotike.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel