Pronat e Shkëlzen Berishës në Gërdec/ Reagojnë familjarët e tragjedisë: Rikthim në vendin e krimit

28/07/2020 11:50
Avokati Geraldo Durda

Skandali i publikuar nga mediat se Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe një nga emrat e përfolur si i përfshirë në aferën e armëve në Gërdec ku pati me dhjetëra të vdekur, ka blerë tokë pikërisht në këtë zonë, ka sjellë reagimin e ashpër dhe të familjarëve të viktimave.

Djali i madh i familjes “Durdaj”, e cila është akoma në pritje të drejtësisë së munguar për të ndëshkuar atë që i mori jetën të birit, Geraldo Durda, thotë se autori po kthehet në vendin e tij të krimit.

Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ai ngre pyetjen se kush janë politikanët më të interesuar në Shqipëri që tragjedia e Gërdecit të mos zgjidhet kurrë ndërsa thotë se deri më tani askush nuk ka marrë mundimin deri tani ta pyesë, krejt ligjërisht, nga se përbëhet pasuria e ti dhe se kush i sponsorizon udhëtimet e tij.

Statusi

““sy peshkaqeni”
Kush janë politikanët më të interesuar në Shqipëri që tragjedia e Gërdecit të mos zgjidhet kurrë?

Fillimisht blen pronën , më parë ka blerë një makinë 85 mijë euro dhe një apartament tek ETC 346 mijë euro. Më pas merr kredinë për të blerë pronën, të cilën e lë kolateral për kredinë. Mes pas blen edhe ca makineri boronicash 2.4 miliardë lekë (të vjetra).
Pastaj e kamuflon me një kompani që ka një punëtor.

Më pas rikthehet në vendin e krimit.
Edhe më e çuditshmja,

Askush nuk ka marrë mundimin deri tani ta pyesë, krejt ligjërisht, nga se përbëhet pasuria e tij?
Kush i sponsorizon udhëtimet e tij?
Çfarë punon?

Në cilin objekt ka qenë,ndërmjetës, çfarë është blerë e çfarë është shitur?”, shkruan djali i madh i familjes “Durdaj”, Geraldo Durda.

Kujtojmë që vëllai i tij Erisoni i vogël, ishte vetë shtatë vjeç e gjysmë, kur nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve me 15 mars 2008 në Gërdec gjeti vdekjen.

Top Channel