Prokuroria nisi hetimet pas denoncimit të një punonjësit të kompanisë “Aleat”, për zhdukjen e një sërë formularësh, që ishin plotësuar nga qytetarët për kartat e identitetit dhe për pasaportat.

Siç bën me dije një burim i sigurtë, denoncimi është dorëzuar këtu në drejtorinë vendore nga shtetasi Juxhin Tabaku, 28 vjeç me detyrë punonjës logjistike pranë “Aleat”.

Denoncuesi prej një viti është i angazhuar pranë “Aleat” edhe si transportues i dokumentave të aplikimit për ID dhe pasaportën biometrike. Siç pretendon punonjësi ngjarja ka ndodhur në njësinë administrative “Kodra e Diellit”.

Ndonëse procedura për tërheqjen e kutive me materiale parashikon hedhjen e firmës nga marrësi dhe operatori, për shkak të fluksit dorëzimi i tyre nuk është firmosur por është mjaftuar vetëm me lënien e faturës.

“Deri këtu është detyra ime”, pohon denoncuesi, “që ti dorëzoja, për verifikimin e tyre merret një zyrë tjetër ku është e ndaluar të hyhet”.

Por siç bëhet me dije, transportuesi është pyetur për kutitë me materiale në muajin shkurt 2019 dhe ai ka shpjeguar procedurën që ka ndjekur. Nuk bëhet e ditur se sa është numri i dokumentave të humbur për të cilën është kërkuar një liste me emrat e aplikantëve për dokumentat e rëndësishëm ID dhe pasaportë biometrike. /Anila Hoxha/

Top Channel