Në disa qytete amerikane protestat morën një kthesë të dhunshme gjatë fundjavës. Demonstruesit sulmuan agjentët federale jashtë një gjykate në Portland të Oregonit. Në Siatëll policia u detyrua të tërhiqej ndërsa në Kaliforni e Virxhinia, protestuesit i vunë zjarrin disa automjeteve.

Gjatë një proteste kundër dhunës së policisë në Austin të Teksasit, një protestues u qëllua dhe u vra nga një person që po kalonte me makinë nëpër një turmë që po demonstronte. Ndërkohë autoritetet njoftuan se një protestues qëlloi dhe plagosi një person në Aurora të Kolorados, i cili po ngiste makinën përmes një turme protestestuesish.

Në Siatëll të dielën punonjësit e zbatimit të ligjit u tërhoqën në një stacion policie, disa orë pas demonstratash të mëdha në një nga lagjet kryesore të qytetit. Në një konferencë shtypi në mbrëmje vonë shefja e policisë së Siatëllit Carmen Best bëri thirrje për paqe. Policia tha se ishte goditur me gurë, shishe e fishekzjarre dhe se kishte arrestuar të paktën 45 persona për sulm ndaj oficerëve të policisë dhe mosbindje ndaj urdhrit për t’u shpërndarë. Njëzet e një oficerë u plagosën, shumica me dëmtimeve të lehta.

Në Portland, mijëra njerëz u mblodhën të shtunën në mbrëmje për një tjetër natë proteste mbi vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd dhe praninë e agjentëve federalë të dërguar së fundmi në qytet me urdhër të Presidentit Trump. Protestuesit u përplasën me policisë, e cila përdori gaz lotsjellës kundër tyre. Sipas njoftimeve policia kreu një numër të madh arrestimesh, por nuk është ende i qartë numri i personave të ndaluar.

Top Channel