Ekzekutoi shokun me çekiç dhe ia fshehu trupin/ Vrasja horror në Fier, burgim të përjetshëm Albert Zekës

28/07/2020 10:36

Ditën e sotme, Gjykata e Fierit vendosi burgim të përjetshëm për Albert Zekën, autorin e vrasjes së fierakut, Kreshnik Beqiraj.

36-vjeçari Kreshnik Beqiraj dhe Albert Zeka jetuan 2 vite në të njëjtën banesë të cilën e kishin marrë me qira në Fier. Zeka për arsye që nuk i tregonte nuk mund të kthehej në vendlindjen e tij në veri të vendit.

Disa ditë përpara se të zhdukej, 36-vjecari Beqiraj kishte vizituar të atin dhe i kishte thënë se do ta nxirrte Albertin nga banesa pasi nuk paguante qiranë. Zeka dhe Beqiraj u njohën në Belgjikë, ku mendohet se kanë qenë në burg bashkë. Pas daljes nga burgu, Zeka qendroi në Fier bashkë me shokun e tij duke marrë një banesë me qira.

Beqiraj punonte në një pikë tregtimi bojërash, ndërsa Zeka nuk kishte një punë fikse. I ati i viktimës jetonte i vetëm në lagjen “Kastriot”, ndërsa pjesa tjetër e familjes në shtetin belg. Polica deklaroi se Zeka e ka vrarë shokun e tij me një çekiç e më pas e ka transportuar trupin me makinë në afërsi të fshatit Daullas. Pas kësaj Zeka u largua nga Fieri në Tiranë, ku qëndroi i qetë për 8 muaj.

Ndërkohë që Beqiraj konsiderohej i zhdukur, policia nisi hetimet për një vrasje ose rrëmbim të mundshëm të 36-vjeçarit. Trupi i tij u gjet nga një bari në fshatin Daullas, në mars të vitit 2018 i skeletizuar. Tre ditë më pas, policia arrestoi Albert Zekën, i cili pohoi se ishte i dehur kur e kishte vrarë shokun e ngushtë.

Top Channel