Covid-19/ Vaksina amerikane nis fazën e fundit të testimit

28/07/2020 02:26

Kompania bioteknike amerikane, Moderna njoftoi se tashmë ka nisur fazën e tretë të testimit të një vaksine kundër koronavirusit, pas dy testimeve të mëparshme të suksesshme.

Në fazën e fundit, rreth 30,000 vullnetarë, që gëzojnë shëndet të mirë, do të marrin dy doza të vaksinës në çdo 28 ditë, për të parë nëse ajo ofron mbrojtje kundër koronavirusit.

Vaksina quhet mRNA-1273 dhe përmban një pjesë të vogël të kodit gjenetik nga koronavirusi. Ajo nuk do të shkaktojë sëmundje, por pritet ta stërvisë sistemin imunitar që ta identifikojë dhe luftojë infektimin me koronavirus. Kompania paralajmëroi se do të duhen disa muaj kohë për të parë nëse vaksina funksionon.

Vaksina e Moderna-s nuk është e para që hyn në fazën e tretë, që është faza e fundit përpara se të mund të paraqitet pranë një autoriteti rregullator për vlerësim dhe miratim të mundshëm. Faza e tretë e vaksinës që ka realizuar Universiteti i Oksfordit është dhe ajo në zhvillim e sipër. Në të gjithë botën janë mbi 120 vaksina kundër koronavirusit që ndodhen në faza të ndryshme të zhvillimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA