Olivia de Havilland, dy herë fituese e çmimit Oskar dhe një nga lidhjet e fundit me epokën e artë të Hollivudit, u nda nga jeta të dielën, në moshën 104-vjeçare.
Aktorja, që ka marrë pjesë në filma si Bashkë me erën, dhe ka luajtur përkrah protagonistëve si Errol Flynn, personifikonte elegancën e një epoke të shkuar të filmbërjes.
Sipas zëdhënëses së saj, Havilland, u nda nga jeta në paqe për shkaqe natyrore, në shtëpinë e saj në Paris ku jetonte prej vitesh.
“Ajo ishte mbretëresha e Hollivudit dhe do të perëndojë në historinë e kinemasë si e tillë”, tha Thierri Fremo, drejtor i Festivalit të Filmit të Kanës.
“Nuk janë të shumtë ata që e meritojnë të quhen legjenda”, shkruante në Twitter analisti i Hollivudit, Skot Feinberg, por Olivia de Havilland, ishte një prej tyre”.
Dhe një llogari në Twitter e menaxhuar nga djali i legjendës së ekranit, Humphrey Bogart, shkruante:
“Ne kemi humbur një ikonë të vërtetë të Hollivudit klasik”.
De Havilland, që kishte krijuar reputacionin se ishte një yll në çdo zhanër, ka marrë pjesë në 49 filma nga viti 1935 deri në 2009. Në 1939, de Havilland u shfaq në rolin e fisnikes Melanie Hamilton në Bashkë me erën. Ajo u nominua për aktoren më të mirë në ceremoninë e Oskarëve, por çmimin e rrëmbeu aktorja tjetër e filmit, Hattie McDaniel, që luante mamin dhe që u bë e para aktore afro amerikane që fitonte një Oskar.
Sidoqoftë filmi vulosi statusin e De Havilland si një nga zonjat e mëdha të Hollivudit. Sidoqoftë ajo ka marrë më pas dy çmime Oskar në vitin 1946 dhe 1949. Ajo ishte e njohur edhe për jetën e saj shumëngjyrëshe jashtë ekranit, përfshirë një betejë ligjore të gjatë kundër Warner Bros dhe një përplasje sekrete dhe të ashpër me motrën dhe aktoren e njohur, Joan Fontaine.
Top Channel