Tentoi t’i shpëtonte policisë, por u përplas/ Transportim emigrantësh të paligjshëm, arrestohen 4 persona në Korçë

27/07/2020 15:01

Një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë të shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit është goditur në Korçë.

4 shtetas janë vënë në pranga pasi transportonin 7 emigrantë të paligjshëm, njëri prej të cilëve gjatë ndjekjes nga policia nuk iu bind urdhrit të punonjësve për të ndaluar.

Bëhet fjalë për M.Ç., 19 vjeç; Ç. B., 25 vjeç; M. L., 22 vjeç dhe F. Q., 27 vjeç, banues në Durrës.

Shërbimet e Policisë, nga informacione të siguruara në rrugë policore se dy mjete po transportonin emigrantë të paligjshëm nga Devolli në drejtim të Tiranës, organizuan punën, lokalizuan dhe konstatuan mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin M. L., brenda të cilit ndodheshin edhe shtetasit Ç. B., dhe F. Q., si dhe mjetin tip “Audi” me drejtues shtetasin M.Ç., brenda të cilit ndodheshin 7 emigrantë të paligjshëm, të cilit i kanë bërë me shenjë të ndalonte por ky i fundit nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë dhe është larguar me shpejtësi, ku në fshatin Blacë, Pogradec, është përplasur me një mjet tip furgon duke shkaktuar dëme materiale.

Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi F. Q., duke qenë në rolin e organizatorit të këtij aktiviteti kriminal, në bashkëpunim me 3 shtetasit e tjerë, kundrejt fitimit prej 300 euro për person, iu kishin premtuar emigrantëve të paligjshëm, kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Top Channel