Shtohen vartësit e drogës dhe alkoolit/ Deri në 30 telefonata në ditë, pandemia problematikën e ka çuar në shtëpi

27/07/2020 15:18

Pandemia na preku të gjithëve, por më shumë ka rënduar vartësit dhe abuzuesit me drogat dhe alkoolin.

Ajo që vihet re me realitetin e ri shkaktuar nga pandemia është konsumi i alkoolit dhe drogës në shtëpi shokësh, magazina, garazhe. Nëse më përpara i shkarkonin pasojat e konsumit, nëpër lokale dhe pabe, tani gjithë problemet i sjellin në shtëpi, brenda mureve të tyre.

“Numri i telefonatave që marrim nga familjarët është rritur ndjeshëm. Janë kryesisht, gra, nëna, motra, bashkëjetuese. Ankohen se personi ushtron dhunë verbale e fizike, kërkon lekë, kërcënon. Aman hajdeni dhe merrini, se nuk durohet jeta në shtëpi me këta, na thonë. Marrim 20-30 telefonata në ditë. Madje një të shtunë morëm rreth 70 telefonata. Janë shtuar shumë të rinjtë që konsumojnë kokainë. 20-25 vjeçarë që gjejnë hashash e vaj hashashi dhe i konsumojnë. Personat që vuajnë varësinë nga alkooli janë kryesisht 30-45 vjeçarë”, shprehet Shpëtim Doksani, Shef i Klinikës së Vartësive, QSUT.

Familjarët janë shumë të rëndësishëm në procesin e trajtimit. Ata duhet të kërkojnë ndihmën e mjekut të familjes dhe tonën si hallkë e specializuar.

“Ne nuk e kemi ndërprerë për asnjë çast trajtimin e pacientëve. Shërim për ta, patjetër që ka.”

Top Channel