Byroja Kombëtare e Hetimit sipas rekomandimit të SPAK do të drejtohet nga një grua.

Komisioni përzgjodhi Aida Veizajn si kandidaten më të kualifikuar për të drejtuar BKH-në për një mandate pesë vjeçar, e konsideruar ndryshe si FBI-ja shqiptare, ndërsa tre kandidatët e tjerë u skualifikuan.

Sipas procedurës, emri i Aida Veizaj Hajnaht do t’i shkojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë për firmën përfundimtare.
Emri i drejtueses së BKH-së të rekomanduar nga SPAK, do të duhet që të marrë në shumicë të thjeshtë votash në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Pra nga 9 vota që KLP ka aktualisht, Aida Veizaj, duhet të marrë 5 vota, në të kundërt procesi do të duhet të nis nga e para.

Zgjedhja e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kaloi nëpërmjet një procesi ku për herë të parë u përdor makina e së vërtetës, gara fizike dhe mendore; të gjitha këto të monitoruara nga partnerët europianë dhe amerikanë.

Lidhur me rekomandimin e Aida Veziajt Hajnajt, reagoi edhe ambasadorja:

“Një tjetër hap përpara në rrugën e reformës në drejtësi, në një kohë që Komisioni përzgjedhës për kreun e BKH-së, i dërgon KLP-së emrin e Aida Hajnat për aprovim. Hapi tjetër, trajnimi i tyre me FBI-në dhe me më të mirët ligjzbatues amerikanë. Gur mbi gur bëhet mur!”.

Aida Veizaj Hajnaj, aktualisht është në pozicionin e Zv. Drejtoreshës së përgjithshme të policisë së shtetit.
Ajo ka mbajtur detyra të rëndësishme në këtë strukturë, si shefe e Sektorit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar.

Më pas në 2016 u emërua si Drejtore e Përgjithshëm për Kufirin dhe Migracionin, detyrë qe e mbajti 2 vjet.
Daljet e saj televizive janë te rralla. Një vit me pare në emisionin “Wake Up” në Top Channel, Ajo foli për përfshirjen në radhët e policisë:

Kam mbaruar studimet për juridik. U emërova në strukturat hetimore të asaj kohë, për tu bërë më pas pjesë e policisë së shtetit”.

/Andi Bora/

Top Channel