Kërcënuan kreun e Institutit të Ndërtimit/ Inspektim të pallatit të dëmtuar nga tërmeti, prokuroria çon dosjen në Gjykatë

27/07/2020 15:25

Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për kërcënimin e drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu dhe dërgoi në gjykatë dy persona, të cilët u përpoqën ta frenonin gjatë inspektimit të një pallati të konsideruar të rrezikshëm për jetën e qytetarëve

Enver Shaba me detyrë administrator i një shoqërie dhe Ardjan Sabiliqi  do të gjykohen për kanosjen e zyrtarit me qëllimin që ai të kryente një ekspertim të rremë në objektin 28 katësh në qytetin e Durrësit. Në dosjen e dorëzuar në gjykatë nga prokurori Arjan Përmeti thuhet se Hysenlliu u kërcënua gjatë kohës kur vartësit e tij kishin përpiluar një ekspertizë për llogari të Prokurorisë së Durrësit ku dhe konkludonin se ky objekt ishte i paqëndrueshëm.

Fillimisht drejtori i përgjithshëm mori një mesazh të nisur nga Enver Shaba që i shkruante:

“Zoti drejtor zbato rregullat, bëj ekspertizë të thelluar, besoj ju e doni veten dhe familjen”.

Pas mesazhit, Agron Hysenlliut i ndërpritet rruga pranë banesës së tij nga dy persona, njëri prej të cilëve më vonë u identifikua nga kamerat e sigurisë si Ardjan Sabliqi. Sipas denoncuesit kërcënuesi e paralajmëroi “nuk po sillesh mirë, mos fol, nuk të vijmë herë tjetër në këtë mënyrë. Mendoi mirë gjërat përpara se t’i bësh”.

Top Channel