Trajneri i Chelsea-t, Frank Lampard, u ka kërkuar drejtuesve të klubit që të afrojnë një portier cilësor gjatë merkatos së verës e për rrjedhojë të nxjerrin në shitje Kepa Arrizabalagan. Kuptohet që blutë nuk janë të gatshëm të pranojnë ndonjë marrëveshje poshtë 50 milionë stërlina për portierin bask.
Chelsea do të pranonin edhe për një huazim afatgjatë të portierit spanjoll, me kusht që palët e interesuara të pranojnë të paguajnë pjesën më të madhe të pagës së tij.
Lampard nuk është bindur nga Kepa që nga ardhja e tij si menaxher, verën e kaluar, dhe e ka ulur në disa raste në stol, për herë të fundit në ndeshen ndaj Wolves, që i siguroi Chelsea-t pjesëmarrjen në Champions. Në këtë sfidë shumë të rëndësishme Lampard zgjodhi titullar veteranin 39-vjeçar Willy Caballero.
Cabellero pritet të jetë në formacion edhe në finalen e FA Cup, të shtunën, kundër Arsenalit.
Portieri i Burnley-t, Nick Pope, i cili ka bërë përshtypje këtë sezon, është ndër opsionet për të marrë vendin e Kepas. Gjithashtu pëlqehet edhe portieri i Ajaxit të Amsterdamit, Andre Onana.
Spanjolli Kepa Arrizabalaga i kushtoi Chelsea-t 72 milionë stërlina në gusht të vitit 2018, por çmimi i tij ka rënë ndjeshëm këtë sezon.
Top Channel