Veliaj: Brenda nëntorit përfundojmë shtëpitë individuale, vazhdojmë kompensimet për dëmet më të vogla

26/07/2020 14:09

Puna për rindërtimin e shtëpive individuale të dëmtuara nga tërmeti po ecën me shpejtësi, në mënyrë që të jenë gati në nëntor, e mandej t’i lënë radhën fillimit të punës për pallatet e reja. Nga Farka e Vogël, ku inspektoi hapjen e themeleve për tre shtëpi të reja për familjet e Ilir Qepës, Gëzim Kodrës dhe Indrit Plakut, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se puna do të vazhdojë edhe gjatë verës, për të mbajtur premtimin e dhënë.

“Jam shumë entuziast që kemi hapur tre kantiere të reja; kështu do të vazhdojmë në çdo lagje, nga 3-4, në varësi të shtëpive të dëmtuara. Një pjesë e madhe e qytetarëve do të shkojnë për pushime, kurse bashkia do të sigurohet që deri në fund të gushtit të mbajmë fjalën për shtëpitë e nisura. Fillimisht i dhamë ‘dum’ shtëpive që u prishën nga tërmeti i shtatorit, e pasi zgjidhëm atë hall, do të vazhdojmë me shtëpitë e tjera. Do t’u rrimë te koka përditë, çdo kantieri, derisa të shohim që u bë edhe shtëpia e fundit”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se krahas procesit të rindërtimit, Bashkia e Tiranës po përfundon edhe dhënien e dëmshpërblimeve për banesat me dëme më të lehta. “Mezi pres që jo vetëm të mbarojmë shtëpitë, por të mbarojmë edhe kompensimet, sepse ka edhe nga ata që ndoshta nuk u është prishur shtëpia, por kanë pasur dëmtime, një krisje në mur, një suva e rënë, një çati që duhet rregulluar. Për të gjitha këto arsye, është shumë e rëndësishme që edhe me pagesat të ecim shumë shpejt. Porosia e Kryeministrit është që para se të mbushet viti nga tërmeti i nëntorit, të kemi mbaruar të gjitha shtëpitë individuale”, tha Veliaj.

Në kryeqytet do të rindërtohen 870 banesa individuale, e mandej nis puna për lagjet e reja në zonën e Kombinatit dhe “5 Majit”. “Në gjithë Tiranën do të bëjmë 870 shtëpi, pastaj në vjeshtë nisim me pallatet, të cilat marrin pak më shumë kohë, sepse edhe sistemimi, analiza dhe studimi duan më shumë kohë. Ne do të vazhdojmë dëgjesat me inxhinierët çdo javë, që qytetarët të binden para se ta marrin atë vendim. Pastaj, fillojmë me themelet e pallateve të reja në Kombinat dhe te ‘5 Maji’”, u shpreh kryebashkiaku.

Tipologjitë e shtëpive model janë të qëndrueshme dhe ofrojnë komoditet optimal jetese për banorët, ndërkohë që sigurojnë jetëgjatësi të ndërtesës dhe mundësi mirëmbajtje me kosto të ulët.

Top Channel