Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci ka deklaruar se çdo rast i ri i dhunës është një alarm që kujton dështimin e institucioneve vendore në luftimin e dhunës familjare, si shkak i së cilës po shënohen edhe viktima në mesin e grave.

Nagavci në një postim në Facebook ka shkruar se dhuna është pasojë e dështimit të edukimit, institucioneve dhe shoqërisë për të mbrojtur personat në nevojë.

“Kemi dështuar sepse kemi lejuar të na shkatërrojnë sistemin e arsimit, të drejtësisë e të sigurisë. Kemi lejuar të kemi institucione të kapura e cuba në pushtet, injorant në institucione e varfëri në shoqëri, varfëri në tryeza e në mendësi. Kjo duhet të përfundojë”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, sot në Korbliq të Kaçanikut është varrosur gruaja për të cilën dyshohet se është vrarë nga burri i saj në Kamenicë. E ndjera ka lënë pas vetes dy fëmijë, ndërkohë që Prokuroria ka dhënë 30 ditë paraburgim për të dyshuarin.

Postimi i plotë:

Edhe një grua e vrarë!

Sa herë që ndodh një krim, reagojmë (me të drejtë) të gjithë.
Sa herë që kuptojmë për dhunën e ushtruar ndaj dikujt, kryesisht ndaj vajzave e grave, kërkojmë (me të drejtë) mbrojtje, reagim, drejtësi, barazi.

Dhuna e krimi janë të papranueshme e të dënueshme, nuk ka asnjë arsyetim, asnjë tolerim. Por, çdo rast i ri i dhunës është po ashtu një alarm, një kambanë që na kujton dështimin e të gjithëve, inatin pse s’mundëm e s’bëmë më shumë.

Dhuna është pasojë e dështimit të edukimit, të institucioneve, të shoqërisë. Kemi dështuar të gjithë, kemi dështuar të mbrojmë personat në nevojë.

Kemi dështuar sepse kemi lejuar të na shkatërrojnë sistemin e arsimit, të drejtësisë e të sigurisë. Kemi lejuar të kemi institucione të kapura e cuba në pushtet, injorant në institucione e varfëri në shoqëri, varfëri në tryeza e në mendësi.

Kjo duhet të përfundojë. Reago paraprakisht, parandaloje dhunën. Dënoje dhunën. Ngrite zërin. Sot e për çdo ditë secili nga ne e çdo kund, ndaj secilit rast të dhunës, në familje, në institucione, në rrugë e në biznese.

Protesto ndaj dhunës private e strukturore.

Top Channel