Iu shmangën ndjekjes së policisë për të ardhur në Tiranë/ Përplaset makina, 4 shtetas sirianë të plagosur

26/07/2020 10:33
Ilustrim

4 shtetas sirianë kanë mbetur të plagosur në një aksident automobilistik në aksin rrugor Zvezdë-Podgorie.

Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e fshatit Podgorie në vendin e quajtur “Lapidari”.

Një mjet brenda të cilit udhëtonin shtetas të ardhur nga vendet me konflikt ka qenë duke udhëtuar nga Bilishti në drejtim të kryeqytetit.

Mësohet se drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të policisë në hyrje të qytetit të Bilishtit.

Në kushte të tilla policia në bashkëpunim me FRONTEX është vënë në ndjekje të tyre.

Drejtuesi i mjetit për t’i shpëtuar policisë ka zgjedhur aksin rrugor nga Zëmblaku për të kaluar më pas në aksin nacional Korçë-Pogradec.

Në kryqëzimin e fshatit Podgorie ishte vendosur një tjetër postobllok policie i cili kishte bllokuar pjesën më të madhe të rrugës.

Në të tilla rrethana drejtuesi i mjetit me shtetasit e huaj gjatë manovrës për të shmangur mjetin e policisë është përplasur me një mjet tjetër duke sjellë edhe përmbysjen e mjetit e për pasojë mësohet paraprakisht se 4 shtetas siriane mbetën të plagosur.

Pogradec/Informacion paraprak

Më datë 26.07.2020, rreth orës 08:45, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, tek vendi i quajtur “Lapidari i Blacës”, janë përplasur mjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin M. Ç., rreth 19 vjeç, banues në Durrës, me një mjet tjetër furgon tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. J., rreth 35 vjeç, banues në fshatin Blacë, Pogradec, ku për pasojë janë dëmtuar lehtë 4 shtetas të huaj të cilët udhëtonin me mjetin tip “Audi”, të cilët morën ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Pogradecit.

Mjeti tip “Audi”, me të cilin po transportoheshin 7 shtetas të huaj, nuk i ka ndaluar patrullës së Policisë Rrugore, Policisë Kufitare dhe shërbimeve të FRONTEX-it, të cilët janë vënë në ndjekje të tij.

Me dy drejtuesit e mjeteve po kryen veprimet e mëtejshme proceduriale.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit si edhe rrethanave të ngjarjes.

Top Channel