Gjoli me ujë të grumbulluar, paralizon turizmin në plazhin e Semanit, Fiks Fare vë në lëvizje bashkinë e Fierit

24/07/2020 21:00

Sezoni turistik këtë vit, për shkak të pandemisë nisi më 1 qershor, por në plazhin e Semanit ende nuk ka nisur. Si pasojë e prurjeve të detit, në këtë zonë të plazhit formohet gjoli, ku grumbullohet uji. Për heqjen e këtij uji të grumbulluar, bashkia në vitet e kaluara ka hapur portën në kanalin kullues, por këtë vit nuk u është përgjigjur kërkesave të qytetarëve të cilët kanë biznese.

Pra, ndonëse kaloi 1 muaj nga çelja e sezonit turistik, në këtë plazh nuk kishte asnjë pushues. Çadrat janë të pahapura, shezlongët si dhe lokalet në këtë plazh janë bosh. Bisnesmenët e këtij plazhi iu drejtuan Fiksit sepse nuk kanë gjetur zgjidhje pasi Bashkia e Fierit nuk kishte vënë në zbatim hapjen e portës në kanalin kullues të gjolit.

Mos hapja e kanalit kullues, penalizon bisneset pasi pushuesit nuk kanë ku të kalojnë dhe të frekuentojnë këtë zonë të plazhit. Madje dhe bisneset nuk kanë bërë përgatitjet e tyre që të mirëpresin pushuesit. Ndërkaq, një tjetër shqetësim nga ky gjol është dhe mungesa e energjisë elektrike.

Energjia në këtë zonë lidhet vetëm gjatë muajve të sezonit veror, ndërsa në muajt e tjerë nuk ka. Ndërkohë, shtyllat që bëjnë lidhjen e energjisë janë në ujin e grumbulluar në gjol dhe për aq kohë sa ka ujë, teknikët nuk mund të bëjnë ndërhyrje për të lidhur energji.

Pas ankesës së pronarëve të strukturave të shërbimit në plazhin e Semanit, Fiks Fare u interesua pranë Bashkisë së Fierit se pse nuk po hapej porta e kanalit kullues. Menjëherë pas interesimit të Fiks Fare, Bashkia e Fierit ka hapur portën në kanalin kullues pranë gjolit. Bisnesmenët shprehen se për 2 ditë përfundoi tharja e ujit dhe se pushuesit e kanë të lehtë të kalojnë me makinat e tyre dhe të frekuentojnë plazhin.

Top Channel