Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, deklaroi se populli i Kosovës gjithnjë i ka besuar drejtësisë ndërkombëtare, përkundër që ende nuk ka drejtësi për gjenocidin e shtetit serb të kryer mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë.
Këtë deklarata, Thaçi e bëri në 10-vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që e cilësoi si të drejtë shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
“Ne, populli ynë, gjithmonë i kemi besuar drejtësisë ndërkombëtare, përkundër faktit që ende nuk kemi drejtësi për gjenocidin e shtetit të Serbisë të kryer mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë. I kemi besuar dhe vazhdojmë t’i besojmë drejtësisë ndërkombëtare, sepse gjithmonë ishim dhe vazhdojmë të jemi në të drejtën tonë!”, deklaroi Thaçi.
Postimi i plotë i Thaçit:
Sot u bënë 10 vjet kur u vulos përfundimisht subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit të ri të Kosovës. Ne asnjëherë nuk kishim dyshime për të drejtën tonë historike, që të jetojmë të lirë në vendin tonë të pavarur dhe sovran. Serbia pas humbjes së luftës në Kosovë, duke mos u pajtuar me këtë fakt, kishte vendosur ta dërgonte rastin e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.Ne, populli ynë, gjithmonë i kemi besuar drejtësisë ndërkombëtare, përkundër faktit që ende nuk kemi drejtësi për gjenocidin e shtetit të Serbisë të kryer mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë. I kemi besuar dhe vazhdojmë t’i besojmë drejtësisë ndërkombëtare, sepse gjithmonë ishim dhe vazhdojmë të jemi në të drejtën tonë! HTH
Top Channel