Spektakël dhe “lumë” golash në “Anfield”, Liverpool i tregon Chelseat kush është kampioni

22/07/2020 23:31

Ashtu siç parashikohej, kryendeshja e javës së 37 të Premier Leagues mes Liverpoolit dhe Chelseat ofroi një 90-minutësh spektakolar dhe plot 8 gola, ndërsa në fund fitorja u buzëqeshi kampionëve të rinj të Anglisë.

“The reds” e nisën vrullshëm ndeshjen dhe arritën të kalojnë në avantazh në minutën e 23-të me anë të mesfushorit Nabi Keita, ndërsa deri në të 43-tën trefishuan avantazhin pasi shënuan me Alexander-Arnold e Wijnaldum.

Londinezët e Lampard bënë shumë pak në pjesën e parë, por në minutat shtesë gjetën rrjetën me anë të sulmuesit Olivier Giroud.

Edhe pjesa e dytë nisi me gol për Liverpoolin, që çoi shifrat në 4-1 me anë të brazilianit Roberto Firmino, para se blutë e Londrës të reagonin dhe të shënonin dy herë me Abraham e Pulisiç, duke rihapur ndeshjen.

Në momentin më të mirë të londinezëve ishte Oxlade-Chamberlain që shënoi sërish për Liverpoolin dhe vulosi fitoren me shifrat 5-3, ndërsa tani Chelsea do të duhet të djersijë edhe në javën e fundit për të siguruar një vend në zonën Champions.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta