“Superliga, verdiktet e merituara”/ Sokol Jareci: Arbitrat nuk kanë vendosur trofetë

21/07/2020 20:00

Përcaktimi i fituesit të kampionatit të Superligës heq një barrë të madhe nga përgjegjësia dhe ngarkesa emocionale apo presioni tek arbitrat e futbollit.

Diskutimi për vendime të diskutueshme ka qenë prezent thuajse në cdo javë, megjithatë shefi i sektorit të gjykimit pranë FSHF-s, Sokol Jareci është i bindur se trofetë dhe verdiktet kanë shkuar tek ekipet që e merituan.

Sokol Jareci: E rëndësishme është që arbitrat dhe asistentët të mos vendosin dorën tek trofetë, kjo gjë duhet të jetë ekskluzivitet i lojtarëve dhe skuadrave që luajnë në fushën e lojës. Duke u nisur nga javët e fundit performanca e arbitrave ka qenë e mirë dhe me gabime të vogla se nuk pretendojmë mos kemi gabime. Dhe në total në të gjithë sezonin kam bindjen dhe them që arbitrat nuk kanë qenë protagonist në vendosjen e fituesve.

Prej pak ditësh ka përfunduar edhe edicioni i dytë i akademisë së gjykimit, një kurs profesional ky për arbitrat e rinj. Bie në sy është një rritje e interesit në tërësi për sistemin e gjykimit dhe i vajzave në veçanti pasi këtë herë u certifikuan 69 meshkuj dhe 12 vajza. Por pavarësisht kësaj të jesh abitër futbolli në Shqipëri është një mision që arrin në kufijtë e të pamundurës.

Sokol Jareci: Është një presion i jashtëzakonshëm duke filluar tek fëmijët. Presioni i prindërve i trajnerëve, të gjithë kërkojnë menjëherë të marrin rezultat. Dhe arbitrat, apo kryesisht vajzat arbitre duke qenë në një moshë shumë të re që përballen me këtë presion, në një pjesë] jo të vogël të tyre tërhiqen dhe e lënë në mes.

Ndërkohë që paragjykimet do të vazhdojnë përgjithmonë të ecin paralelisht me profesionin e arbitrit.

Sokol Jareci: Sa herë që flitet për një sistem drejtësie, këtu tek ne të paktën paragjykohet. Paragjykohet gjyqtari në gjykatë, në të gjithë nivelet për të zbritur deri tek arbitri i futbollit Paragjykohet edhe aty ku është prezent sistemi VAR. Megjithatë janë pjesë e jetës dhe pjesë e debateve. /Endi Tufa/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA