Vritet me breshëri arme 39-vjeçari në Elbasan! Autorët djegin makinën në Papër, FNSH & RENEA në kërkim të tyre

20/07/2020 16:58
Foto nga vendi i ngjarjes

Emiljano Ramazani, 39-vjeç, është ekzekutuar me armë zjarri pasditen e sotme në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i luleve”. Viktima është qëlluar brenda në makinën e tij në një parkim pallati.

Top Channel mëson se 39-vjeçari është pronar i një lokali në qytetin e Elbasanit. Autorët dyshohet se janë larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Bradashesh-Paper, në një ullishte i kanë vënë zjarrin mjetit dhe janë larguar në kodrat përballë Paperit. Top Channel mëson se makina që është gjetur duke u djegur, është tip Renault Megane me targa AA 819 KX. Këto targa janë deklaruar më parë të vjedhura.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjeke të autorëve, po bëhet rrethimi i zonës nga dyshohet se mund të jenë larguar autorët, si dhe janë ngritur menjëherë pika kontrolli në akset rrugore Elbasan-Rrogozhinë, Elbasan-Tiranë dhe Elbasan-Belsh.

Në ndihmë të Policisë lokale janë nsiur FNSH dhe RENEA, si dhe një grup specialistësh të Departamentit të Policisë Kriminale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Top Channel