Performojnë mbi 100 artistë/ “Cloud Fest”, nga ahengu ‘tirons’ tek muzika e lehtë dhe tangot shqiptare

20/07/2020 18:02

Nëse mendon se vetëm në bregdet bëhet nami gjatë verës e ke gabim, sepse aktivitet në Tiranë nuk kanë të mbaruar.

Festivali i Resë ose “Cloud Fest” i organizuar nga Bashkia e Tiranës rikthehet për të katërtin vit radhazi nga data 21 korrik- 02 gusht. Duke respektuar të gjitha kushtet e pandemisë, përgjatë ditëve dhe netëve të festivalit do të ndërthuren më së miri dy ekstremet e kulturës (artit, muzikës,dancit dhe ndërthurjeve të tyre) një larmi disiplinash, qasjesh, e deliri artistik shqipëtar me mbi 100 artistë nga Tepelena e deri në Gjakovë -veterane të traditës sikur HEKURAN XHAMBALI GOLIKU i Tepelenës apo skenës së artit bashkohor, sikur artisti KLOD DEDJA, apo koregrafi GJERGJ PREVAZI apo muzikanti I shquar ROBERT BISHA, por aq sa edhe të rinj të skenës sikur artistët e Performancës dhe artit bashkohor BLENDI SHAHU, SARAH FERHATI dhe BURIM TEFALICA apo kërcimtari/koreografi FJORALD DOCI , VERONICA CHATZOPOULO dhe muzikantë të traditës sikur violinist ERALDO FETO, kontrabasisti DRITAN HEKURANI ,apo GRUPI BRIOS te rinj nga Shkodra me Rock and Rollin e tyre. Artisti i njohur Pejan-Ndërkombëtar SISLEJ XHAFA do të jetë një nga pjesëmarrësit special. Kori i Resë apo Kori Amator i Tiranës, i krijuar 1 vit më parë sigurisht nuk mund t’i mungojë këtij edicioni.
Ndërkaq këngëtarja Jolanda Tralo e cila me zërin e saj të mrekullueshëm dhe një repertor të pasur të valseve, tangove dhe muzikës së lehtë shqiptare, do të na risjellë atmosferën e bukur të mbrëmjeve të vallëzimit në Tiranën e viteve 70-80 dhe në një tjetër natë do I dedikohet Serenatave korçare.

Për të përmbylluar këtë listë të gjatë me aktivitete, do të vijë për publikun kryeqytetas edhe Ahengu tirons dhe Ansambli me i ri i krijuar rishtaz i quajtur TIRANA -TIRONA ALL STARS me super yjet këngëtare dhe instrumentistë si Ismail Kavaja( Klarinete), Hekuran Xhambali( Klarinete), Rafail Caka(fizarmonike), Pëllumb Meta( Tarabuk), Eraldo Feto( Violin), Dritan Hekurani(Kontrabass), Gentian Muhaxhiri(Bass), Adriatik Celmeta (llahute), Artur Yzeiri( llahute), Neki Kastrati( dajre), Iris Bega (këngëtar), Rik Buneci (këngëtar),Xhemal Kodra(këngëtar), Ilir Tafaj( këngetar), Arben Tafaj (këngetar) që do të ofrojnë një koncert të paharruar me muzikën më të mirë tironse.

Top Channel