PD në këshillin politik, kujton pikën 12 të marrëveshjes: Bie ndesh kërkesa juaj për hapje listash

20/07/2020 13:18

Top Channel sjell të tjera detaje nga ajo se çfarë po diskutohet prapa dyerve të mbyllura të tryezës së Këshillit Politik.

Më herët burime nga takimi i thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se kryeministri Edi Rama i ka drejtuar një pyetje përfaqësuesve të PD: Ku bie në kundërshtim propozimi për hapjen e listave me marrëveshjen e 5 qershorit?

Ndërkohë mësohet se Gazment Bardhi i PD është shprehur se: në pikën 12 të marrëveshjes së 5 qershorit është parashikuar se, shumë nga ndryshimet që lidhen me sistemin e votimit dhe administrimit do të kryhen pas zgjedhjeve të 2021.

Në këtë pikë bie ndesh kërkesa juaj për hapje listash.

Propozimet për ndryshimet kushtetuese janë bërë kur vendi ishte në gjendjen e pjesshme të jashtëzakonshme dhe kjo bie ndesh me disa nene të kushtetutës.

“Kuptuam nga diskutimi i Kryetarit të Partisë Socialiste që qëllimi është të rihapim edhe njëherë diskutimin për përmbajtjen e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe të bëjnë ndryshime të saj. Drafti i marrëveshjes së 5 Qershorit është produkt i një pune të përbashkët 6 mujore, është miratuar dhe nënshkruar me konsensusin e të gjitha palëve, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ne i qëndrojmë firmës sonë dhe deklarojmë që nuk mund të rishihet apo rishkruhet asnjë fjalë ndryshe nga ajo që palët kanë dakordësuar dhe nënshkruar bashkërisht. Çështjet që ju shtruat bien në kundërshtim dhe ndryshojnë Marrëveshjen e 5 Qershorit dhe prishin dakordësinë që ne kemi arritur aty. (nenet 19 dhe 36 të draftit të nënshtruar në zbatim të marrëveshjes së 5 Qershorit).

Gjithashtu, në mbledhjet e Këshillit Politik, por edhe gjatë diskutimeve në Rezidencën e Ambasadores së SHBA-së, përfaqësuesi zyrtar i Partisë Socialiste nuk ka dhënë konsensusin për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe ka dakordësuar se kjo çështje nuk mund të diskutohet tani, por në një fazë më të vonshme. Ky fakt konfirmohet edhe nga përmbajtja e marrëveshjes së 5 Qershorit, ku specifikohet në shënimin nr. 2 që “nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit”. Sipas pikës 12 të marrëveshjes së firmosur më 5 Qershor “12. Hyrja në fuqi”: “ky shënim është i zbatueshëm për zgjedhjet e radhës”, tha Bardhi.

Top Channel