Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një statusi në Facebook, tha se nuk do të ketë dialog teknik.

Sipas tij, do të ketë vetëm dialog për marrëveshje finale dhe njohje reciproke.

“Nuk ka dialog teknik. Ka dialog vetëm për marrëveshje finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, shkroi Hoti.

Gjatë javës së kaluar ka rinisur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, takimi mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç është zhvilluar në Bruksel.

Pas takimit, Hoti ka thënë se në bisedime janë diskutuar dy tema: çështja e të pagjeturve dhe zhvillimi ekonomik.

“Pas 20 muajsh, sot e rifilluam procesin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Njohja reciproke dhe normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve janë parimet bazë dhe qëllimi përfundimtar i këtij procesi. Me kërkesën tonë, dy temat e takimit të parë ishin personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike. Për ne tek ekonomia përfshihen edhe kompensimi i dëmeve të luftës, suksesioni, borxhi shtetërorë, pensionet, kursimet në banka, pagat e humbura të punëtorëve të larguara nga puna, dëmtimet e pronës private dhe çështje të tjera që do të vazhdojnë të diskutohen në takimet e ardhshme. Jemi të vendosur që çështja e të pagjeturve të mbyllet sa më shpejt, sepse ndjejmë obligim moral ndaj familjeve të tyre”, kishte deklaruar Hoti.

Ky ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit, pas më shumë se 20 muajsh.

Top Channel