“Do heq taksën”/ Basha në Kosovë, takim me liderët politikë: Mbështes dialogun me Serbinë

20/07/2020 14:56

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur në një vizitë zyrtare kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku theks të veçantë i dhanë menaxhimit të situatës pandemike dhe dialogut me Serbinë.

Hoti mohoi deklarimet e përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajcak se dialogu do të vazhdoj në nivel teknik, duke shtuar se për takimin e radhës do të zgjedh koordinatorin shtetëror për dialog i cili do të draftoj marrëveshjen finale për njohje reciproke.

Tutje, Basha është pritur në takim edhe nga Presidenti, Hashim Thaçi.

Thaçi tha ta ketë informuar për rëndësinë jetike të konsensusit politik për dialog, drejtë një marrëveshjeje politike.

Ndërsa Basha theksoi rëndësinë e bashkërendimit të qëndrimeve mes BE-së dhe SHBA-ve, si parakusht i suksesit të çdo iniciative në raport me stabilizimin përfundimtar dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike.

Përveç takimeve me përfaqësuesit institucional, Basha në qëndrimin e tij dy ditor do të takohet me kryetarët e partive politike, kryetarin e komunës së Prishtinë, Shpend Ahmeti, e atë të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.

Si dhe do të zhvillojë homazhe pranë varrit të ish- Presidentit, Ibrahim Rugovës, Isa Boletinit si dhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. /Alberta Hashani/

Top Channel