Vathë për kujtim nga Gjirokastra/ Suveniret e veçanta me figura të njohura shqiptare dhe të huaja

19/07/2020 20:11

Në pazarin e Gjirokastrës idetë atraktive janë të pafundme.

Së fundi, Fereniqi, një prej artizaneve të pazarit bëri një gjetje unike që fillimisht edhe vetë ajo ishte pak skeptike si do të pritej. Ajo solli portrete të grave të njohura , të grave të famshme lokale në vathët që ajo shet në pazarin historik.

“Më pëlqen shumë ky model vathësh sepse në radhë të parë është një risi, një model jo i parë gjithandej dhe ti ke mundësi ta personalizosh sipas dëshirës. Me anë të kësaj bizhuterie shumë të vogël dhe elegante ke mundësi të promovosh figura të ndryshme historike, figura vajzash dhe grash shumë të fuqishme por kjo bizhu të jep mundësi që veprat e tua të preferuara të artit t’i mbash gjithmonë me vete. Vathët e para të tilla i kam marrë me figurën e Frida Kahlo-s dhe të gjithë m’i kanë pëlqyer. Në çdo ambient që shkoja më kanë thënë sa të bukura vathët, pastaj u shpjegoj historinë. Gjithmonë i përditësoj me figura të ndryshme, me personazhe historik, me pikturat e mia të preferuara dhe shkojnë me çdo veshje, si paradite, si pasdite, duken edhe sportive edhe shik sipas veshjes”, shprehet Ina Margariti, kliente.

Unë zgjodha imazhin e Princit të Vogël. Megjithëse është një imazh që vjen nga një libër fëmijësh ndjeva se më identifikon se ai bën shumë observime për jetën dhe për natyrën humane. Secili në këtë mjedis ka pasur mundësinë që të identifikohet, dhe çdo gjë ka qëndruar mirë si me veshjen, si me identitetin si me faktin që gjenden në Gjirokastër.

“Këtë ide e kisha parë jashtë shtetit kur kisha vajtur me pushime dhe më pëlqeu shumë  dhe mendova që ti bëja edhe vetë. Kur erdhëm në Gjirokastër filuam që të bëjmë bizhuteri me metal, pastaj bëra dhe këto me foto dhe pashë që kishte shumë tërheqje. Disa ditë më parë bëmë edhe një grua të famshme gjirokastrite, Urani Rumbon, ma kërkoi një vajzë. Të huajt marrin Klimtin dhe Modiglianin dhe Fridën, kurse shqiptarët preferojnë edhe fotografitë e Marubit. Mendoj se duhet të krijoj një vend të vogël ku gratë të mblidhen për të ndërtuar së bashku motivet e tyre të preferuara”, rrëfehet Fereniqi Llavdaniti .

Motivet më të preferuara duket se janë ato të Urani Rumbos, të mbretëreshës Geraldinë, por edhe motivet lokale që vijnë nga artizanati, nga qilimat, nga qëndisjet, gjithçka lokale që e bën një vajzë të re por edhe një grua të duket ndryshe.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA