Testime serologjike te privatët/ Qeveria merr në konsideratë qëndrimet profesionale te emisioni “Hipokrati”

19/07/2020 19:37

Testet serologjike, të cilët tregojnë nëse dikush ka qenë më parë i infektuar apo jo me Covid-19, tashmë do të mund të bëhen edhe në laboratorët privatë, të licensuar dhe të njohur nga Ministria e Shëndetësisë.

“Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet për fillimin e testimeve serologjike edhe në strukturat jo publike, me kushtin që të jenë të validuara. Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjensia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të lejohen të përdoren dhe të vlerësohen përsa i takon validimit dhe performancës nga Instituti i Shëndetit Publik. Ndërkohë do te vijojë kryerja e testeve serologjike për personelin shëndetësor, dhe një kampionim i popullatës do të kryhet nga Instituti i Shëndetit Publik”, deklaroi Ministria.

Me këtë vendim, qeveria merr në konsideratë qëndrimet profesionale të emisionit Hipokrati: “Testet serologjike për Covid- 19 tek laboratorët privatë”

Ministria e Shëndetësisë i deklaroi Top Channel-it se që prej ditës së hënë, laboratorët privatë të cilët kanë shprehur interes për kryerjen e testeve serologjike, mund të paraqiten pranë Agjencisë Kombëtare të barnave për t’u regjistruar, e po ashtu të regjistrojnë edhe llojin e testit që do të përdorin me kush që ai të jetë i miratuar nga kjo agjenci.

Pas regjistrimit dhe certifikimit, këto laboratorë mund të fillojnë testimin e qytetarëve.

Ky vendim i vonuar i ministrisë, vjen në një kohë kur është shtuar presioni nga qytetaret që duan të bëjnë teste. Top Channel raportoi pak ditë më parë se ka laboratore që e ofronin këtë shërbim duke parë interesin e madh të qytetareve për të lëvizur edhe jashtë vendit.

Megjithatë sipas ministrisë së shëndetësisë, ky lloj testimi për antitrupa, nuk mund të përdoret për të kaluar jashtë kufijve të vendit, pasi ai tregon vetëm nëse e ke kaluar apo jo infeksionin nga SARS-CoV-2 në të shkuarën,dhe jo gjendjen aktuale. Do të duhen të kalojnë 1-3 javë pas infeksionit, që trupi të prodhojë kundërtrupat.

Ministria e Shëndetësisë sqaron se këto rezultate janë të rëndësishme për të informuar mbi personat që mund të kualifikohen si dhurues të gjakut, i cili mund të përdoret për të përgatitur plazmën konvaleshente, një produkt i cili po shihet për t’u përdorur tek personat që janë shumë të sëmurë me COVID-19. Ndërkohë testimet serologjike, krahas privatëve do të vijojnë të kryhen paralelisht edhe në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT.

Top Channel