​LDK, PDK dhe AAK e lënë të hapur votën pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, LVV kundërshton

19/07/2020 13:41

Rritja e rasteve me Covid 19 ka bërë që të shqyrtohet ndjekja e procedurave për shpalljen të gjendjes së jashtëzakonshme nga kryeministri, Avdullah Hoti.

Ndonëse dekretin në Kuvend e dërgon presidenti i vendit, shefi i ekzekutivit në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurisë, pa praninë e Thaçit paralajmëroi një mundësi të tillë. Por, në Kuvendin e Kosovës, aty ku i jepet “vula” një dekreti të tillë shprehën me qëndrime të ndryshme se a duhet të shpallet juridikisht gjendja e jashtëzakonshme. Derisa, Lëvizja Vetëvendosje kundërshton ashpër këtë ide, tri partitë e tjera parlamentare, LDK, PDK dhe AAK e lënë të hapur votën pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj thotë për KosovaPress se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk nënkupton drejtpërdrejtë pjesëmarrjen e ushtrisë dhe policisë në këtë proces. Por, sipas tij, ajo mund të shpallet vetëm në mënyrë që masat restriktive që kanë edhe në të kaluarën të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

“Qeveria e Kosovës duhet të ketë të qartë në cilin drejtim do të lëvizë, pa u shpallur gjendja e jashtëzakonshme, apo pa u bërë një ligj i veçantë i cili i mundëson qeverisë për të nxjerrë vendime që i kufizon liritë dhe të drejtat e njeriut mund të rrëshqasim në vendime që shkelin kushtetutën dhe mendoj se nuk është mirë që vijnë në këtë situatë… 22 Duhet të kemi të qartë se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk nënkupton drejtpërdrejtë pjesëmarrjen e ushtrisë dhe policisë në këtë proces. Ne mund të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme për menaxhimin e pandemisë në mënyrë që të jemi në pajtim në ligjin dhe kushtetutën. Masat që ndërmerren këto masa qe vetëm i kemi aplikuar më herët ndaj ish-qeverisë Kurti”, thotë ai. Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj duke mos e mohuar mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, thotë se primare duhet të jetë mos bllokimi i ekonomisë.

“Shpresoj në vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtjen dhe respektimin e këtyre masave në mënyrë që sa më lehtë të kalojmë këtë situatë. Ne po shohim që është rritur numri, por nëse vetëdijesohemi mund të bashkëjetojmë me këtë pandemi duke mos e dëmtuar ekonominë e Kosovës”, thotë ajo. Ndonëse në opozitë, deputeti i PDK-së, Bajrush Xhemjali u shpreh për KosovaPress se në situata të rënda, sikur kjo e pandemisë duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

“Në qoftë se instituti do të konstatojë se duhet të shpallë kuptimin shkencor, nëse shpallet nuk kam kundër kësaj si person. Natyrisht në situata të rënda duhet të shpallet edhe gjendja e jashtëzakonshme. Nuk jam ekspert, por situata është alarmante, sigurisht që qytetarët mund të kenë parasysh se mund të vijë deri tek ajo”, u shpreh Xhemajli. Por i ashpër kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme u shpreh për KosovaPress, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Ai thotë se një mundësi e tillë është më tepër për të përkeqësuar situatën në fushën e sigurisë dhe politikës, se sa menaxhimin e pandemisë Covid 19.

“Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme duket që nuk ka të bëjë ekskluzivisht me menaxhimin e situatës me Covid-19. Po të donin ata do të merrnin masat e tjera në përputhje me kompetencat e tyre, do të kishin përkrahur ligjin (anti-Covid) dhe do të ishim më të relaksuar, nuk është se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme i dedikohet vetëm Covidit. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme më tepër është për të përkeqësuar situatën, e sidomos në fushën e sigurisë dhe politikës se për të menaxhuar Covid 19”, thotë ai.

KosovaPress ka kontaktuar edhe zyrën e presidentit Hashim Thaçi për t’i pyetur se a ka pasur konsultim me kryeministrin Hoti dhe se a do të iniciojnë një dekret të tillë në Kuvendin e Kosovës, mirëpo deri më sot nuk kanë kthyer përgjigje.Në muajin mars, kur veçse kishin filluar të shfaqeshin rastet e para me Covid 19, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kërkonte shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, siç thoshte për menaxhimin më të mirë të situatës me virusin korona. Kjo gjeti mbështetje nga disa prej liderëve politikë, përfshirë të partisë tashmë në pushtet, Isa Mustafa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA