VV kritikon qeverinë Hoti për rifillimin e dialogut dhe menaxhimin me Covid-19

17/07/2020 16:44

Një ditë pas takimit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar të parin e qeverisë se po zhvillon dialogun pa platformë.

Kjo parti opozitare po vlerëson se vetmja gjë që doli në pah nga ky takim ishte fakti që Hoti është i aftë të flet gjuhën serbe.Përmes një konference për medie të premten, deputeti Artan Abrashi tha se kryeministrit Hoti nuk e ka kredibilitetin dhe as legjitimitetin për të përfaqësuar Kosovën në dialog.

“Ne konsiderojmë që ai dialog po zhvillohet pa platformë, zotëri Hoti ende nuk ka prezantuar para qytetarëve se për çfarë tema po bisedohet atje. I gjithë ai takim që ndodhi na bërë me dije vetëm një gjë, fakti që zotëri Hoti është i aftë të flet gjuhën serbe, nuk kuptuam diçka tjetër çka është biseduar aty. Gjithsesi Lëvizja Vetëvendosje do të përcjell me kujdes tërë këtë provës të bisedimeve dhe dialogut. Konsiderojmë që zotëri Hoti nuk ka as kredibilitetin dhe legjitimitetin për të përfaqësuar palën, pra institucionet dhe republikën e Kosovës në këtë proces mjaft të rëndësishëm dhe delikat”, tha ai.

Vetëvendosje adresoi kritika ndaj qeverisë Hoti edhe për menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19. Deputetja Fitore Pacolli tha se hapja totale ka ndikuar në shtimin e shumëfishtë të infektuarve dhe viktimave.

“Kjo hapje totale dhe pa krijimin e kushteve dhe adaptimin në normalitetin e ri që kemi sot ndikoi në shtimin e shumëfishtë të të infektuarve dhe viktimave. Ajo që duhet të kuptojë qeveria ilegale sot se pandemia do të qëndrojë me ne për një kohë të gjatë, disa gjëra mund të kthehen në normalitetin që kishim para pandemisë, por shumë gjëra nuk do të kthehen. Mbyllja e disa shërbimeve që aplikuam ne në fillim dhe tani insistimi i qeverisë ilegale për gjendje të jashtëzakonshme që tash duket që është masa që më shumë i konvenon kësaj qeverie nuk janë zgjidhje. Nuk është as zgjidhje vazhdimi i politikave para situatës pandemike, duhen politika të reja, kreativitet për t’u përshtatur në normalitetin e ri”, tha ajo.

Kurse, deputeti Abrashi tha se koronavirusi i ka dal nga kontrolli qeverisë Hoti.

“Situata pandemike tashmë është jashtë kontrollit dhe se kemi të bëjmë me një kaos që kjo qeveri nuk e ka as haber që si t’ia dal në krye. Masat që merren për menaxhimin e kësaj pandemie janë të pastudiuara mirë, të paplanifikuara dhe at-hok… 12:20 për fat të keq kjo qeveri nuk ka asnjë ide si të veprojë drejtë një normaliteti të ri. Andaj krejt që iu mbetet t’i themi është që të largohen sa më shpejtë dhe Kosovës t’i kthehet çfarë e meritojnë qytetarët”, tha ai. Dy deputetët mes tjerash kërkuan që të rihapen çerdhet për fëmijë./Kosova Press/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA