Këshilli i Bashkisë Skrapar “saboton” bashkinë në zgjidhjen e problemit të shkollës së bashkuar Potom.

Bashkia kërkon alokimin e 14 milion lekëve të vjetra për rikostruksionin e ambulancës që do të shërbejë si shkollë privizorisht, por këshilli nuk e miraton duke nxjerrë arsye nga më të ndryshmet. Absurdi arrin deri aty sa këshilli dhe komisioni i ekonomisë të këshillit vë në dyshim raportin e Inspektoriatit të Ndërtimit, që ka vendosur shëmbjen e shkollës ekzistuese që ka rrëshqitje dheu. Ata për të zvarritur procesin kanë kërkuar që të bëhet një vlerësim i dytë nga ekspertë të njohur nga gjykata që do të nënkontraktohen nga këshilli. Duke mos miratuar në këshill jo vetëm alokimin e këtyre fondeve, por edhe alokimin e 20 milionë lekëve për studimin e truallit ku mund të ndërtohet shkolla e re.
Njësia Potom është rreth 27 km larg Skraparit.

TAP në fillim të vitit propozoi të bënte rikonstruksion të shkollës. Pasi inxhinierët e tyre panë ambientet dyshuan se shkolla ishte dëmtuar rëndë dhe kishte nevojë për një vlerësim teknik. Në këtë shkollë të ndërtuar në fillim të viteve ’80 vijonin mësimin 81 nxënës dhe 12 fëmijë në kopsht. Bashkia i kërkoi Inspektoriat të Ndërtimit të bënin një vlerësim dhe ky i fundit në muajin Maj pas inspketimit doli në përfundimin se shkolla duhet shembur. Në muajin Maj shkollës ju vu dryni. Pas kësaj, bashkia për shkak se nuk kishte ambiente të tjera i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë mundësinë e shfrytëzimit të ambienteve të ambulancës për krijimin e 8 klasave. Ministria e pranon propozimin, por ambientet janë të degraduara dhe kanë nevojë për rikonstruksion.

Bashkia i bën një kërkesë këshillit që 14 milionë lekë që ishin alokuar për restaurimin e ambienteve të shkollës 9 vjeçare Backë e Vogël, ku mësonin vetëm 11 nxënës, të kalonin për ambulancën. Këshilli jo vetëm që nuk e miraton, por vë në diskutim edhe Inspektoriatin dhe drejtorin e shkollës Backë ku për dëgjesën publike i kërkojnë drejtorit të shkollës jo vetëm emrat e 11 fëmijeve që vijonin shkollën aty, por edhe certifikatat familjare të gjithësecilit. Sepse dyshonin sërish që drejtori mund t’i gënjente.

Në një intervistë për Fiksin kryetari i Bashkisë Skrapar, Adriatik Mema pretendon se Këshilli është duke sabotuar në mënyrë të pakuptimtë zgjidhjen e problemit të shkollës së Bashkuar Potom. Ai thotë se për ndryshimin e destinacionit të 14 milionë lekëve këshilli është duke nxjerrë kërkesa absurde, por që brenda ligjit janë munduar që t’i plotësojnë të gjitha këto kërkesa. “Fillimisht nuk e kaluan se kërkuan preventiv dhe dokumente shtesë. Ja plotësuam. Më pas në mbledhjen e dytë nuk e futën në votim, pasi kërkuan të bëhet një dëgjesë publike. Dëgjesa u organizua nga bashkia dhe u tha që do vinin edhe anëtarë të këshillit. Të nesërmen erdhi vetëm sekretarja. U mbajt një procesverbal dhe prindërit ranë dakord me kushtin që të paktën të rregullohen vetëm dy klasa për 11 nxënësit. Por këtë proceverbal këshilli akoma nuk e ka bërë publik dhe nuk na e ka vënë në dispozicion, sepse kërkojnë nga bashkia foto dhe video nga dëgjesa në të kundërt nuk u japim proceverbalin” -theksoi ai. Këshilli arriti deri aty sa vunë në diskutim edhe Inspektoriatin e Ndërtimit. Kryetari shpreh dyshimet që edhe në mbledhjen e datës 20, ditën e hënë këshilli nuk ka për ta kaluar sërish duke i vënë në një pozicion shumë të vështirë në nisjen e vitit të ri shkollor.

Shkolla Potom ishte e rrënuar me mure te çara. Dëmtimet duken qartë edhe me sy. Ambulanca edhe pse e degraduar edhe me lagështirë mund të kthehet në ambient shkolle provizorisht sa të ndërtohet një e re. Gjatë intervistës administratori i Njësisë Administrative Potom, Partizan Gorçe thotë se mund të kthehen në ambiente funksionale për shkollën, ndërsa për kopshtin do të marrim një ambient me qira. “Shpresoj shumë që këshilli ta kaloj atë fond pasi 80 fëmjët nëse nuk do kenë një ambient për shkollë këtu do të detyrohen të shkojnë në shkollë në qytet 30 km larg. Eshtë një kosto shumë e lartë.” -shtoi ai.

Këto fakte gazetarët e Fiksit ia vunë përballë kryetares së këshillit Edlira Shkëmbi e cila edhe gjatë intervistës vë në diskutim integritetin e secilit institucion shteteror që shprehet për shkollën. Fillimisht ajo thotë se vendimi i institutit është i dyshimtë dhe se ekonomistët e këshillit kanë kërkuar të bëhet një vlerësim tjetër nga ekspertë të jashtëm. Pastaj vë në dyshim edhe drejtorin e shkollës Backë ku nuk e beson për numrin e nxënësve dhe i kërkon t’i shoqërojë secilin me certifikata familjare gjatë dëgjesës publike. Dhe nuk pranon që t’i vërë në dispozicion procesverbalin e dëgjesës bashkisë apo ta bëj publik nëse kjo e fundit nuk i sjellë edhe foto e video nga dëgjesa. Kërkesë që nuk e kishte bërë asnjëherë. Ajo thotë se dy projekt-vendimet do të kalojnë të hënë për votim, por nuk e di a do miratohen. Ajo thotë që kjo nuk është zvarritje por që sipas ligjit kanë të drejtë të kërkojmë informacion. Shpesh herë gjatë intervistës së saj kundërshton vetveten dhe nuk mungojnë as momentet që vihet në siklet , por sërish nuk e shpreh hapur arsyen e zvarritjes së këtij procesi.

Top Channel