Përfundojnë ndeshjet e kthimit, Tirana-Teuta në finalen e Kupës së Shqipërisë

16/07/2020 00:49

Përballja që konsumoi më shumë polemika këtë sezon në futbollin shqiptar, e që do të vazhdopjë ta bëjë për shkak të akuzave për trukime, konsumoi aktin e dytë të saj në Kupën e Shqipërisë, duke zyrtarizuar Tiranën si finaliste të turneut. Bardheblutë fituan 2-0 ndaj Bylis në stadiumin Selman Stërmasi ndaj ballshiotëve që ishin impenjuar 2-1 në ndeshjen e parë, sfidë që po hetohet nga Komisioni i Etikës.

Ernest Muçi prishi ekuilibrat me një konkluzion të bukur brenda zonës pas asistit të Grent Halilit ndërsa pak minuta më vonë, miqtë pretenduan për penallti, por pa sukses. Rrjeta e dytë e kryeqytetasve erdhi nga Hoxhallari që i shpëtoi mbulimit në një goditje këndi. Në fraksionin e dytë Tirana administroi rezultatin, duke avancuar më tej, por eliminimi i Bylis, nuk i largon dyshimin për trukime, për të cilën do të vendosë Etika.

Përballë bardhebluve në ndeshjen e fundit të turneut do të jetë Teuta e cila eliminoi Kukësin në një ndeshje emocionuese ku Djemtë e Detit ofruan një përmbysje që nuk pritej. Pas një pjese të parë pa gola, Rroca prishi ekuilibrat në favor të verilindorëve por Kapllani arriti të barazonte rezultatin. Me këtë rezultat Teuta ishte e eliminuar dhe u hodh e tëra në sulm, duke sjellë dhe rrjetën e Rustem Hoxhës në stadiumin Niko Dovana.

Kukësi jashtë turneut dhe drejt një sezoni pa asnjë trofe. Finalja e Kupës së Shqipërisë do të luhet në 2 gusht në ‘Air Albania Stadium’.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA