Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar pas fotografimit të librit provokues për Kosovën në zyrat e Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, duke thënë se është përtej skandalit diplomatik dhe më shumë se provokim dhe anim.
“Është përtej skandalit diplomatik dhe më shumë se provokim dhe anim – takimi i Komisionerit për Zgjerim të BE-së Olivér Várhelyi me Vuçiqin, me ekspozim të qëllimshëm të librave shovinistë, me emra që janë derivat i projeksioneve për spastrim etnik dhe pretendime territoriale ndaj shteteve tashmë të pavarura dhe sovrane. Projeksionet e tilla kanë vdekur, bashkë me regjimin gjenocidal të Millosheviqit”, ka shkruar ajo, duke theksuar se duhet ta ketë të qartë çdo tavolinë, e çdo përfaqësues se Republika e Kosovës është një dhe e pacenueshme.
“Kosova e 17 Shkurtit nuk preket”, ka shkruar ajo në Facebook.Përndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq para takimit me Avdullah Hotin është pritur nga Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Në zyrën e këtij të fundit shihet një libër i vendosur mbi tavolinë i titulluar: “The Christian Heritage of Kosovo and Metohija” ( Trashëgimia e Krishterë e Kosovës dhe Metohisë)Ky fakt shquhet qartë në fotografinë që ka publikuar vetë zyrtari i Bashkimit Evropian në llogarinë e tij në “Twitter”.
“Diskutim i mirë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel sot, për marrëdhëniet BE-Serbi, luftën kundër COVID-19, dhe përgatitjet për Planin Ekonomik. Komisioni Evropian do ta parashtrojë atë në vjeshtë dhe bashkëpunimin regjional”, ka shkruar Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi. /KosovaPress/
Top Channel