Diplomat marrin zgjidhje/ 315 studentë të Ekonomikut u sorollatën prej 1 viti në rektorat

16/07/2020 20:06

Në 24 qershor përcollëm shqetësimin e 315 studentëve të Fakultetit të Ekonomisë, të cilët megjithëse kishin mbyllur studimet master 2017-2019, kishin një vit që nuk po pajiseshin me diplomë.

-Diplomat nuk janë në Rektorat, – thotë shefi I kurrikulave të Rektoratit, Albano Zhapaj.

-Diplomat gjenden në Rektorat, – thotë dekani I Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule.

Të ndodhur në këto kushte, kur studentët po sorollateshin sa nga një institucion tek tjetri, ata u bënë bashkë dhe firmosën një peticion që e paraqitën në Dekanat, Rektorat dhe Ministrinë e Arsimit.

Sot pas gati 3 javësh nga peticioni, procesi I firmosjes së diplomave duket se po merr zgjidhje.

“Në sajë të qëndresës studentore, u arrit që palët të bëhen bashkë dhe t’I japin zgjidhje, me vonesë, por u finalizua. Unë I pashë personalisht diplomat, që janë në proces përgatitje. Ky të jetë edhe një shembull për brezat e ardhshëm dhe përgjegjësit të mos marrin guximin t’i sorollatin siç bënë me ne, por një proces ta nisin e ta çojnë deri në fund. Studentët nuk kanë pse vuajnë pasojat e ping-pongut, që në mënyrë të papërgjegjshme luajtën në këtë rast institucionet. Tani me atë diplomë unë vazhdoj planet për rritjen time profesionale brenda dhe jashtë vendit tim”.

Top Channel